Një burrë australian, i cili e kishte dhunuar seksualisht tri herë nënën e vet përderisa ishte nën ndikimin e drogës metamfetaminë është dënuar me 17 vjet burgim.
Personi, emri i të cilit nuk mund të publikohet për shkak të mbrojtjes së identitetit të viktimës, ishte i dehur dhe nën ndikimin e substancës narkotike metamfetaminë, kur ishte kthyer në shtëpi në Pilbara të Australisë perëndimore në nëntor të vitit të kaluar.
Kur ishte kthyer në shtëpi, i dënuari e kishte goditur nënën në ijë me një gyp të plastikës së fortë. Ky sulm kishte bërë që gruaja 56-vjeçare të rrëzohej në tokë.
Më pas, ai e tërhoqi nënën për flokësh deri në dhomën e gjumit dhe e dhunoi seksualisht tri herë, shkruan “Daily Mail”.
Pas këtij dhunimi, ai e rrëzoi gruan nga shtrati në dysheme dhe vetë shkoi të flinte në një dhomë tjetër, duke e lënë nënën duke bërtitur deri në mëngjes me një asht të thyer, kur viktima kishte arritur ta merrte një telefon dhe të kërkonte ndihmë nga e bija.
Gjykatësi i këtij rasti tha se fakti që viktima është nëna e sulmuesit e bën situatën diçka të pashembullt gjatë tërë karrierës së tij.
Sipas vendimit të gjykatës, i dënuari nuk ka të drejtë të kërkojë falje të dënimit para se t’i kalojë 15 vjet në burg. Me fjalë të tjera, atij mund t’i falen vetëm dy vjetët e fundit të dënimit, nëse kështu do të vendosë gjykata pas 15 vjetësh./Gazeta Express