Ja kush pritet të jenë zëvendësministrat shqiptarë në qeverinë e re

Pas zgjedhjes së krerëve të dikastereve të ekzekutivit, radhën e ka zgjedhja e zëvendësministrave. Kryeministri Zaev ka deklaruar se kjo procedurë do të zhvillohet nga java e ardhshme.
Mediat tashmë kanë publikuar disa nga emrat që përfliten për postet e zëvendësministrave në disa dikastere, nga radhët e partive shqiptare. Në postin e zëvendësit të ministrit të Brendshëm mund të mbetet Agim Nuhiu, ose të zëvendësohet nga Bekim Maksuti, ish zëvendësministri i deritanishëm i Mbrojtjes.

Në Ministrinë e Transportit, zëvendës pritet të jetë Rexhail Ismaili, edhe pse ai për Alsat tha se nuk ka njohuri për këtë. Ish ministri i Ekologjisë Bashkim Ameti përflitet si emër i mundshëm për zëvendësministër të Drejtësisë.
Nuk dihet akoma kush nga BDl-ja mund të vijë në postin e zëvendësministrit të Shëndetësisë dhe atë të Mbrojtjes pasi Alsat kontaktoi disa nga emrat e përfolur dhe ata e hodhën kategorikisht poshtë kandidaturën e mundshme.

Nga Besa konfirmojnë emrat nga radhët e tyre të cilët pritet të marrin postet e zëvendësministrave. Arafat Shabani është kuadër i kësaj partie, kandidat për zëvendësministër të Arsimit kurse Sedat Sulejmani për zëvendësministër të Kulturës.
Pas zgjedhjes së zëvendësministrave, radhën e ka eshaloni i tretë, ndryshimi i drejtuesve në disa institucione.