Statistikat e fundit për numrin e infektimeve me koronavirus Kovid-19 po vazhdojnë të mbajnë në krye të listës komunat e Shkupit: Aerodrom, Karposh, Qendër, Kisela Vodë, Gjorce Petrov. Gjatë 24 orëve të fundit nga 445 infektimet e reja me koronavirus 249 janë në Shkup. Këto komuna po shënojnë shifra rekorde dhe tashmë konsiderohen si zona të rrezikshme për përhapjen e mëtejshme të virusit.
Në komunën Aerodrom aktualisht ka 400 raste aktive, Komuna Qendër me 353 raste aktive, Karposhi me 344, Kisela Vodë me 232, Gazi Baba me 180, Gjorce Petrov me 169. Por me pak raste aktive apo me shifrat nën 100 janë komunat e tjera.
Studenicani me 3 raste, Haracina me 4 raste, Petroveci 8, Shuto Orizare me 13, Saraji me 17, Ilindeni me 28, Buteli 74, si dhe Çairi me 84 raste. Këto komuna fal kujdesit tanimë i kanë këto shifra të ulta.
Të mërkurën u regjistruan 445 raste të reja me sëmundjen COVID-19 dhe nëntë viktima. Rastet e reja rezultuan nga testimi i 2.441 mostrave në 24 orët e fundit bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë. Kjo është shifra më e lartë e të infektuarve brenda një dite që nga fillimi i pandemisë në muajin mars të këtij viti. Me shifrat e fundit numri i përgjithshëm i të infektuarve në Maqedoninë e Veriut arrin në 21.636. Prej tyre 809 pacientë kanë vdekur. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe tha ndërkohë se institucionet shëndetësore kanë kapacitet dhe plan konkret për menaxhimin e gjendjes.
Ai tha se rritja e numrit të rasteve me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut ka ardhur kryesisht nga manifestimet dhe festat e ndryshme brenda familjeve nga kafenetë dhe mosrespektimi i masave. Sipas një raporti të Institutit të Shëndetit Publik të Maqedonisë së Veriut nga data 5 deri më 11 tetor, numri i të infektuarve është rritur për 86.5%, në krahasim me një javë më parë.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani, ka thënë se trendi i rritjes së numrit të rasteve ka nisur nga java e kaluar. “Është rritur edhe numri i kërkesave për testime që janë të domosdoshme. Kemi pritur rritje të numrit dhe kjo është paralajmëruar në të gjitha situatat, por kjo rritje është një trend shumë agresiv çka na ka brengosur” ka thënë Hasani.