Ja kush janë borxhlinjtë më të mëdhenj në Maqedoni


Me borxh prej 5.1 milionë euro, Ndërmarrja publike “Rrugët e Maqedonisë” mban rekordin në mesin e institucioneve publike dhe ndërmarrjeve publike sipas shumës së obligimeve financiare të papaguara ndaj Drejtorisë së të ardhurave publike. Në listën e fundit të borxhlinjve të DAP-it mbi 4500 kompani dhe qytetarë shtetit i kanë borxh 164 milionë euro për tatime, kontribute dhe dogana.

Në listën e zezë të borxhlinjve që nuk i kanë kryer obligimet e tyre deri në mbarimin e vitit të kaluar mund të shihen edhe shumë kompani të njohura nga sektorë të ndryshëm, por edhe disa ndërmarrje publike që me vite të tëra nuk paguajnë tatime. Përveç “Rrugët e Maqedonisë”, në listën e atyre që nuk paguajnë tatim janë edhe kompania e falimentuar shtetërore “Eurokompozit”.

Borxhi i kësaj kompanie për të cilën qeveria kërkon investitor për ta blerë, përfundimisht me dhjetorin e vitit të kaluar është 2.2 milionë euro.

Borxhet ndaj DAP-it
NP “Rrugët e Maqedonisë” 5,1 milionë euro
NPK “Komunalec” – Gostivar 3,1 milionë euro
“Eurokompozit” 2,2 milionë euro
NKP “Tetovë” 2 milionë euro
“Pastërtia dhe gjelbërimi” – Kumanovë 1,7 milionë euro
NPK “Standard” – Dibër 1,3 milionë euro
NP për ekonomizim me objektet për sport 790 mijë euro
HM “Infrastruktura” 530 mijë euro
Radiodifuzioni i Maqedonisë 370 mijë euro

Lartë në listën e borxhlinjve janë edhe disa ndërmarrje komunale. Kështu, borxhi i NPK Komunalec- Gostivar është 3,1 milionë euro. NPK- Tetovë shtetit për mos pagesën e tatimit dhe kontributeve i ka borxh 2 milion euro.

Borxhi i Pastërtisë dhe gjelbërimit nga Kumanova është 1.7 milionë euro, ndërsa NKP Standard e Dibrës ka borxh prej 1.3 milionë euro. Nga ndërmarrjet tjera dhe kompanitë që kanë borxh më pak se një milion euro janë edhe NP për ekonomizim me objektet për sport me borxh prej 790 mijë euro.

HM Infrastruktura ka borxh prej 530 mijë euro, ndërsa borxhi i Radiodifuzionit të Maqedonisë është 370 mijë euro. I pari në listën e zezë të DAP-it një kohë të gjatë është OTEKS nga Ohri me borxh prej 15 milionë euro. E dyta është kompania për autobusë El Don Kastilo Angel me borxh prej 7.3 milionë euro. Në listën e borxhlinjve të përgjithshëm prej 2134 kompanive, 2396 janë qytetarë. Borxhi i përgjithshëm neto është 164.6 milionë euro që është për 1.5 milionë euro më shumë sesa në listën e mëparshme.