Ja kush do të referojë në finalen e Botërorit


Gjyqtari argjentinas, Nestor Pitana së bashku me asistentët e tij Hernan Maidana dhe Juan Pablo Belatti, do të referojnë finalen e Kupës së Botës me Francës dhe Kroacisë të dielën në “Luzhniki” të Moskës, transmeton zeri.info

43-vjeçari Pitana, një arsimtar i edukatës fizik, tashmë ka referuar katër ndeshje në “Rusia 2018”. AI ka referuar në ndeshjet Rusi – Arabi Saudite dhe Meksikë – Suedi në fazën e grupeve, Kroaci – Danimarkë në të tetën e finales dhe Uruguai – Francë në çerekfinale.

Pitana është një gjyqtar ndërkombëtar që prej vitit 2010.

Ai është argjentinasi i dytë që referon në dy Kupa të Botës pas Norberto Coerezzas, i cili kishte referuar dy ndeshje në 1970-n dhe një në 1978-n.

Pas Horacio Elizondos në vitin 2006, ai bëhet gjyqtari i dytë argjentinas që do të referojë finalen e Kupës së Botës. Pitana është njëri prej gjyqtarëve më me përvojë të Amerikës së Jugut.

Së pari ai referoi në ndeshjet e Kupës së Botës U-17 në vitin 2013, kompeticion pas të cilit mori thirrjen për të marrë pjesë në “Brazil 2014”.

Në 2015-n ai referoi për herë të parë në “Copa America”.

Ai u rikthye përsëri në Brazil për Lojërat Olimpike të vitit 2016 ndërsa referoi edhe në Kupën e Konfederatave në vitin e kaluar./Zëri