Ja kur do të jepen vaksinat e para kundër koronavirusit

Një zyrtar shëndetësor në Britani të Madhe ka thënë se dozat e para të vaksinës kundër koronavirusit do të jepen të martën e javës së ardhshme. Chris Hopson i tha televizionit BBC se ky proces do të jetë maratonë e jo vrapim i shkurtër e i shpejtë, duke shtuar: “Presim që gara të fillojë të martën”.

Edhe Ministrja e Parë e Skocisë, Nicola Sturgeon, tashmë ka konfirmuar se vaksinat e para në këtë shtet do të jepen të martën, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

“Pa asnjë pikë dyshimi, ky është lajmi më i mirë që kemi dëgjuar prej kohës kur ka filluar pandemia”, tha ajo. Sidoqoftë, zonja Sturgeon paralajmëroi se pandemia ende nuk ka përfunduar dhe se programi i vaksinimit do të jetë një ushtrim masiv logjistik.

Britania e Madhe u bë vendi i parë në botë që e miratoi për përdorim urgjent vaksinën e kompanive “Pfizer” dhe “BioNTech”, të cilën e cilësoi si të sigurt për t’u përdorur. Gjatë testimit në njerëz, kjo vaksinë ka treguar 95 për qind efikasitet. Ajo ka efekte të pakta dhe të lehta anësore dhe ndikon njësoj edhe te personat mbi moshën 65-vjeçare si dhe në mesin e racave, gjinive dhe etnive të ndryshme.