Ja kur do të fillojnë pagesat e punonjësve pas sulmit nga hakerët të Fondit Shëndetësor!

Sistemi për Sigurim Shëndetësor mbetet i bllokuar dhe jashtë funksionit pas sulmit kibernetik më 6 Shkurt. Autoritetet e Maqedonisë së Veriut, sulmin kibernetik e kanë cilësuar si pjesë të luftës hibride që zhvillohet në Evropë pas agresionit rus në Ukrainë.

Hakerët që qëndrojnë pas sulmit kërkojnë kundërpagesë për të liruar sistemin.

Spekulohej se pagesën e kanë kërkuar në bitkoinë, por nga MPB-ja thonë se nuk kanë informacione të tilla.

I gjithë sistemi kompjuterik është sulmuar nga softueri malicioz Ransomvare që shfrytëzon shifrime për t’i mbyllur informacionet e viktimës dhe për lirimin e tyre kërkohet kundërpagesa.

Ransomvare shpeshherë është i dizajnuar që të përhapet nëpër rrjet dhe të targetojë softuerë për bazat e të dhënave dhe dosjeve dhe në këtë mënyrë mund që shumë shpejt ta paralizojë organizatën.

Ministri I Brendshëm Oliver Spasovski deklaroi se mbrojtja nga sulmet kibernetike duhet të jenë prioritet për cdo institucion.

“Të merren masa lidhur me sulmet kibernetike. Këto sulme janë paraqitur dhe po bëhen hetime në këtë pjesë. Shumë është e rëndësishme që të gjitha institucionet të marrin masa para kohe për të mbrojtur të dhënat elektronike për shkak se më lirë është investimi në preventive.”

Shfrytëzuesit e shërbimeve shëndetësore druajnë nga keqpërdorimi i të dhënave të tyre personale, kurse nuk mund të paguhen as edhe mjetet që shkojnë përmes Fondit.

Ka pakënaqësi të madhe edhe tek të punësuarit në shëndetin publiK që kanë mbetur pa paga dhe kanë paralajmëruar protesta.

Ndërkohë, Fondi për Sigurim Shëndetësor ka përgënjeshtruar pohimet se janë vjedhur të dhënat e qytetarëve duke siguruar se këto të dhëna janë tërësisht të sigurta.

Nga Fondi thonë se gradualisht po kthehen funksionet e sistemit dhe pas marrjes së të dhënave nga Institucionet Publike Shëndetësore, siç thonë, nga java e ardhshme pritet të nis pagesa e rrogave të punonjësve shëndetësor.