Zëvendës-kryeministri në qeverinë e Maqedonisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani në një intervistë për Zërin e Amerikës thotë se qytetarët e Maqedonisë janë të vetëdijshëm për rëndësinë e referendumit të pritshëm që ia hap perspektivat Maqedonisë drejt familjes Euro-atlantike. Ai flet për reformat që kërkon BE-ja para fillimit të negociatave, për ndikimin rus, për reflektimin e mundshëm ndaj Maqedonisë të debatit për ndryshimin e kufijve midis Kosovës e Serbisë.
Zëri i Amerikës: Në lidhje me debatet për kufijtë midis Kosovës dhe Serbisë, a ka shqetësime në qeverinë e Maqedonisë… a është diskutuar kjo çështje në çfarëdo mënyrë qoftë ajo?
Bujar Osmani: Nëse ky proces nënkupton përmbylljen e demarkacionit të kufijve të shtetit të ri të Kosovës, ai proces ka filluar me Maqedoninë, është përfunduar në vitin 2001 me sukses, pastaj përfundoi vitin e kaluar në mënyrë pak më të vështirë me Malin e Zi. Dhe të gjithë e dimë se me Serbinë demarkacioni do të jetë më i vështirë se me cilindo shtet fqinj të Kosovës. Ne kemi diskutuar normalisht edhe për debatin por edhe për pasojat e mundshme të atij debati. Unë do të them qëndrimin tim personal: përderisa është në nivel të debatit, në nivel të kreativitetit të politikbërësve për një zgjidhje hipotetike të një kontesti shekullor midis dy popujve, nuk mendoj që debati duhet të kufizohet. Kufizimi e ngulfatë kreativitetin. Mirëpo, derisa është në nivel të debatit dhe ideve për një përmbyllje. Sidoqoftë, mendoj se dy shtetet kanë përfaqësuesit e tyre politik dhe duhet të gjejnë një zgjidhje për ta mbyllur këtë çështje, e cila do ta lirojë gjithë Ballkanin në rrugëtimin e vetë drejt BE-së. Natyrisht, ne si shtet i shohim edhe pasojat eventuale të ideve të tilla këtu, prandaj për ne referendumi bëhet edhe më tepër i rëndësishëm që të mbyllet me sukses në mënyrë që Maqedonia të bëhet pjesë e NATO-s, që në një mënyrë të ruhet stabiliteti jo vetëm këtu por ai stabilitet të reflektojë edhe në rajon, kurse debatet përderisa janë paqësore dhe në kuadër të institucioneve mendoj që nuk duhet të kufizohen.