Ja cilët qytete në Maqedoni kanë vendin e parë për divorce?

Thuajse një e katërta e divorceve në Maqedoni ndodh tek çiftet shqiptare, ose rreth 500 shkurorëzime në vit. Ajo që bie në sy është se gjatë katër viteve të fundit ruhet një numër konstant, nga 521 divorce në 2013 në 489 vitin e kaluar

Evis HALILI

Nëse vite më parë bashkëshortët i “ndante vdekja”, viteve të fundit dhënia fund e bashkëjetesës mes një çifti nuk konsiderohet si tabu, madje as në qytetet më të vogla. Dibra është një prej komunave me prelevancën më të lartë të divorceve mes komunave shqiptare. Edhe pse numri i shkurorëzimeve gjatë një viti i evidentuar në zyrat e gjendjes civile nuk është i madh (39 në total) krahasuar me komunat e tjera, si Tetova ku në vit ndodhin 88 divorce, norma e shkurorëzimeve mbetet e lartë – 236.4 në qytetin ku ndodhin jo më shumë se 139 kurorëzime në vit.

Kjo normë është shumë më e lartë edhe se mesatarja e divorceve në rang vendi – 145 divorce në 1000 martesa. Thuajse një e katërta e divorceve në Maqedoni ndodh tek çiftet shqiptare, ose rreth 500 shkurorëzime në vit. Ajo që bie në sy është se gjatë katër viteve të fundit ruhet numri konstant, nga 521 divorce në 2013 në 489 vitin e kaluar.

Tetova është komuna ku shënohet edhe numri më i madh i bashkëshortësive që zgjedhin këtë formë për t’i dhënë fund martesës, por kjo komunë radhitet e katërta mes komunave shqiptare sa i takon shkallës së divorceve në 1000 martesa, për shkak se Tetova është komuna ku ndodh edhe numri më i madh i martesave gjatë një viti në rang vendi (785 kurora).

Sa i takon divorceve, shkalla e tyre është 112 divorce në 1000 martesa. Në statistikat zyrtare nuk jepen arsyet e shkurorëzimeve, ndërsa në zyrat e gjendjes civile pohojnë se nuk përjashtohen rastet kur divorcet mes çifteve shqiptare në shumë raste janë edhe fiktive dhe bëhen për shkaqe emigrimi dhe sigurimin e dokumenteve në një shtet të huaj. Struga është një tjetër komunë që radhitet e dyta për shkallën e divorceve (165.3 divorce në 1000 martesa), po ashtu edhe Zhelina (153 divorce në 1000 martesa), ndërsa komuna të tilla si Haraçina apo Studeniçani kanë jo vetëm shkallë shumë të ulët të divorceve, por edhe të numrit të tyre gjatë një viti.

Në Maqedoni, gjatë një viti ndodhin rreth dy mijë divorce, kryesisht gjatë katër viteve të para të martesës dhe rreth 60 për qind e tyre regjistrohen në çiftet maqedonase.

Karakteristikë për muajin kur ndodhin divorcet është dhjetori dhe më pak në muajin gusht. Mesatarja e normës së divorceve në rang vendi është 145 në 1000 martesa, ndërsa si komuna me normën më të lartë janë Bogdanci 339.3 Zërnovci 454.5 apo Ohri 297.9.

Ndarjet e çifteve përveçse konsiderohen si një proces i vështirë për vetë familjet, prej disa vitesh po ndikojnë negativisht në pasqyrën e përgjithshme të vitalitetit të popullsisë. Gjatë katër viteve të fundit numri i divorceve ka një reduktim shumë të vogël, ndërsa numri i martesave është në rënie.

“Shpëtimi” vjen nga komunat shqiptare, si Tetova, e cila renditet e para për shifrat e larta të martesave të evidentuara, që rriten vazhdimisht çdo vit (90 martesa më shumë në vitin 2017) dhe që përbëjnë rreth 6 për qind të numrit të përgjithshëm të tyre. Në total gjatë vitit të kaluar janë regjistruar rreth 14 mijë martesa, shifër kjo që është 4,4 për qind më e lartë sesa një vit më parë. (koha.mk)

NORMA E SHKURORËZIMEVE NË KOMUNAT SHQIPTARE

Dibër: 236.4 divorce në 1000 martesa

Strugë: 165.3 divorce në 1000 martesa

Zhelinë: 153 divorce në 1000 martesa

Tetovë: 112 divorce në 1000 martesa

Tearcë: 108.4 divorce në 1000 martesa

Gostivar: 107 divorce në 1000 martesa

Haraçinë: 19.8 divorce në 1000 martesa

NUMRI I DIVORCEVE NË KOMUNAT SHQIPTARE VITI 2017

Tetovë: 88 shkurorëzime

Strugë: 83 shkurorëzime

Gostivari: 81 shkurorëzime

Dibër: 39 shkurorëzime

Çair: 39 shkurorëzime

Likovë: 17 shkurorëzime

Haraçinë: 2 shkurorëzime