Ja çfarë thotë Danella Arsovska për dorëheqjet e drejtorëve në Shkup


Edhe tre drejtorë të ndërmarrjeve publike në kuadër të Qytetit të Shkupit dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre. Drejtori i Ndërmarrjes “Rrugë dhe rrugica” Boris Nastov, drejtori i “Lajka” Voisllav Dimitrovski dhe drejtori i “NQP Turs” Filip Vasilevski njoftuan sot se dorëhiqen për shkak të mungesës së komunikimit dhe mirëkuptimit me kryetaren e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska. Por asnjë nga dorëheqjet e deritanishme nuk do ta ndryshojë vendimin e Arsovskës për të mos u tërhequr nga pozita.

“Nuk mendoj aspak për dorëheqje. Nëse Mickoski vlerëson se duhet folur për dorëheqje, le të fillon nga vetja. Unë kam edhe 3 vite e gjysmë mandat për t’u dëshmuar, madje tani e tutje pa sabotime. Mbetet në ndërgjegjen e këshilltarëve të Qytetit të Shkupit të vlerësojnë që nëse duhet mbështetur projektet konkrete le t’i mbështesin, nëse jo përgjegjësia më e madhe do të jetë e tyre”, tha Danella Arsovska, Kryetare e Qytetit të Shkupit.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski duket i përkushtuar në uljen e tensioneve mes tij dhe Arsovskas. Mickoski tha se shumica në Qytetin e Shkupit nuk do të lëkundët, ndërsa projektet me rëndësi për qytetarët do të mbështeten.

“Me sa di unë drejtorët kërkuan që Komisioni për parandalimin e korrupsionit, Prokuroria dhe institucionet përkatëse të bëjnë revizion dhe të dalin me qëndrim në opinion. Nëse nuk kërkon falje Danella Arsovska ata paralajmërojnë se do të iniciojnë padi penale kundër Arsovskës. Por kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që koncepti për Shkupin modern të realizohet dhe administrata e Qytetit të Shkupit do ta ketë mbështetjen tonë. Çfarë është harruar do ta rikujtojmë, ndërsa ajo që është në kundërshtim me konceptin do ta parandalojmë”, u shpreh Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

LSDM-ja pretendon se e di arsyen e mosmarrëveshjeve mes Mickoskit dhe Arsovskës. Sipas kësaj partie një tender me vlerë 136 milion euro ka ndarë rrugët e Arsovskas me opozitën maqedonase.

“Paratë nga tenderi me vlerë prej 136 milion euro janë arsyeja e konfliktit mes Danella Arsovskas dhe Hristijan Mickoskit. Një vit pas zgjedhjeve lokale u pa fytyra e vërtetë e Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së. Mickoski duhet të dal dhe të tregon se cili është roli i tij në tenderin me vlerë 136 milion euro. Pas të gjitha akuzave për krim, duhet të reagojnë edhe institucionet e ndjekjes penale”, i shpreh Gordan Shutarov, Këshilltar i LSDM-së në Qytetin e Shkupit.

Përçarjet mes Arsovskës dhe partisë e cila mbështeti kandidaturën e saj në zgjedhjet lokale të vitit 2021 erdhi si pasojë e akuzave të ndërsjella mes kryetares së Shkupit dhe ish drejtorit të NP “Ujësjellës dhe Kanalizimi” për një tender në të cilin sipas Arsovskas, drejtori Zllatko Perinski është kapur me presh në duar duke tentuar keqpërdorimin e tij. Perinski ka hedhur poshtë akuzat duke kërkuar nga Arsovska të kërkojë falje, përndryshe do të ngrit padi penale ndaj saj për prishje të imazhit dhe shpifje./Alsat.mk