Ja çfarë ndodh nëse Kosova e Serbia nuk fillojnë zbatimin e marrëveshjes së Ohrit

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha se Kosova dhe Serbia mund ta rrezikojnë reputacionin e tyre ndërkombëtar, në rast se nuk fillojnë sa më shpejt zbatimin e marrëveshjes nga takimi i Ohrit.

I pyetur për shkeljen e marrëveshjes nga Serbia, Stano potencoi se besueshmëria e palëve është gjithashtu në rrezik, prandaj sipas tij në mënyrë që të shihen si një partner i besueshëm i BE-së duhet të zbatojnë atë që kanë premtuar.

Reputacioni ndërkombëtar dhe besueshmëria e palëve është gjithashtu në rrezik këtu – në mënyrë që të shihen si një partner i besueshëm i BE-së, palët duhet të zbatojnë atë që kanë premtuar. Liderët evropianë në takimin e tyre në Bruksel këtë të enjte i bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë shpejt dhe me mirëbesim detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga takimi i Ohrit. Të dyja palët ranë dakord në Ohër që të fillojnë menjëherë zbatimin e të gjitha dispozitave të Marrëveshjes dhe Aneksit. Teksti i rënë dakord thotë qartë: “Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht të respektojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe këtë aneks”. Dispozitat e Marrëveshjes (përfshirë Aneksin) tani do të inkorporohen në Kapitullin 35 për Serbinë dhe në agjendën e Grupit Special për Normalizimin për Kosovën. Kjo do të thotë se palët do të jenë të detyruara kontraktualisht të zbatojnë dispozitat nëse dëshirojnë të bëjnë përparim drejt BE-së. Moszbatimi do të thotë të braktisësh rrugën drejt BE-së”, thuhet në përgjigjen e Stanos për Tëvë1

Njëherit, Stano ka bërë të ditur se gjatë ditëve në vijim, Institucionet e BE-së, do të iniciojnë procesin për operacionalizimin e hapave të parë të fazës së zbatimit së bashku me të dyja palët.

“Në ditët në vijim, tani me miratimin nga Këshilli Evropian Udhëheqësit e të 27 shteteve anëtare ) institucionet e BE-së do të iniciojnë procesin për operacionalizimin e hapave të parë të fazës së zbatimit së bashku me Palët. Siç tha Përfaqësuesi i Lartë të enjten: “Unë do t’i këshilloja ata të bëjnë punën e tyre.” Historia e dialogut ka dëshmuar se rëndësia e marrëveshjes matet nga niveli i zbatimit të saj, jo nënshkrimi. Ai ishte shumë i qartë se marrëveshja është rënë dakord, duhet zbatuar dhe nuk ka vend për zgjedhje”, ka shkruar tutje Stano.

E lidhur me bisedimet e Ohrit, përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, ka informuar edhe liderët evropianë, derisa ka theksuar që Kosova dhe Serbia tanimë duhet të përmbushin atë që kanë rënë dakord.