Ja çfarë është Salmonela që shkaktohet nga “Kinder Surprise”

Salmonela është një bakter që gjendet, rëndom, në zorrët e njerëzve dhe të kafshëve. Ky bakter mund të jetë i pranishëm edhe në mishin e pagatuar, pula, vezët dhe në qumështin e papërpunuar. Helmimi ushqimor nga Salmonela, ose Salmoneloza, është sëmundje që shkaktohet kur bakteret e gjalla të Salmonelës hyjnë në trup. Bakteret mund të ngjiten pas qelizave që veshin zorrët, nga ku prodhojnë helme dhe sulmojnë qelizat e zorrëve.

Si mund të ekspozohem ndaj këtij infeksioni?

Kafshët infektohen me bakterin nga kontakti i drejtpërdrejtë me kafshët e tjera, nga konsumi i ushqimit foragjer apo ujit të kontaminuar, ose nga bari, zogjtë e egër dhe brejtësit. Njerëzit i marrin bakteret nga ushqimet e kontaminuara, siç janë prodhimet e viçit, pulës dhe produktet e vezëve. Në kuzhinë, Salmonela mund të kalojë nga ushqimet e pagatuara tek ushqimet e gatuara, përmes duarve, dhe kontaktit me sipërfaqet dhe pajisjet e kuzhinës.

Si mund ta kuptoj se jam infektuar me Salmonela?

Simptomat e helmimit ushqimor që shkakton Salmonela janë: diarre, shtrëngime stomaku, vjellje dhe temperaturë e lartë. Periudha e inkubacionit zgjat rreth 12-36 orë. Sëmundja, ndonjëherë është e rëndë, dhe të shkuarit në spital mund të jetë e domosdoshme.

Për sa kohë është burim infeksioni një person i sëmurë?

Njerëzit mund të jenë bartës (ta kenë dhe ta transmetojnë sëmundjen, pa shfaqur simptoma) dhe organizmi i tyre pastrohet me anë të feçes, një proces që mund të zgjasë deri në një vit. Nëse keni helmim ushqimor, të shkaktuar nga Salmonela, mund të sëmurni të tjerët, për disa ditë me radhë, madje edhe në muajt pasues. Kjo ndodh për shkak se, pas përdorimit të tualetit, larja e duarve nuk është e përshtatshme.

Si kurohet?

Helmimi ushqimor nga Salmonela mund të kërkojë shkuarjen në spital dhe mund të jetë e rrezikshme për jetën, sidomos për të vegjëlit, për të moshuarit dhe për njerëzit që vuajnë nga sëmundje të rënda. Sapo të shfaqen simptomat, duhet të shkoni për vizitë te doktori, i cili do t’ju kërkojë një kampion të jashtëqitjes tuaj, dhe do t’ju pyesi për produktet ushqimore që keni konsumuar. Doktori do të monitorojë gjendjen tuaj dhe, për rastet e rënduara, mund të jetë e nevojshme shkuarja në spital. Tregoni kujdes, pini lëngje, për të parandaluar çhidratimin.