Izraeli sulmon kryeqytetin e Sirisë, tre të vdekur

Tre civilë humbën jetën dhe nëntë të tjerë u plagosën në një sulm izraelit ndaj kryeqytetit Damask, raportuan herët në mëngjes mediat shtetërore duke cituar burime ushtarake.

Mediat shtetërore njoftuan se në kryeqytetin sirian janë dëgjuar shpërthime dhe se mbrojtja ajrore ka interceptuar “objekte armiqësore” mbi zonën e Damaskut “tri herë radhazi në një natë.”

Sulmi izraelit shkaktoi gjithashtu dëme të konsiderueshme në pronat private, shtojnë ata.

Televisioni shtetëror sirian më parë njoftoi se prezantuesja e tyre, Safaa Ahmad, ka humbur jetën në sulmin izraelit, ndërsa sipas Reuters, ende nuk është e qartë nëse ajo është njëra nga tre civilët që përmenden nga mediat shtetërore.

Për sulmin, ushtria izraelite i tha Reuters se nuk komenton raportet e mediave të huaja.

Izraeli prej vitesh kryen sulme ndaj objekteve të lidhura me Iranin në Siri, por këto sulme janë intensifikuar pas sulmit të Hamasit në territorin izraelit vitin e kaluar, kujton Reuters.