Izraeli kryen sulmet e para nga toka në Gaza, Netanyahu: Ky është vetëm fillimi

Izraeli ka nisur gjatë natës sulmin tokësor në zona të lokalizuara në Rripin e Gazës. Sipas mediave palestineze, numri i numri i viktimave ka qenë shumë i lartë, ndërsa që prej fillimit të konfliktit 1900 persona janë vrarë vetëm në Gaza.

Ndërkohë, mbrëmjen e së premtes, kryeministri i Izraelit, Benjanim Netanyahu, u zotua se do të shkatërrojë grupin militant palestinez të Hamasit. “Ky është vetëm fillimi”, tha Netanyahu.

“Ne do ta përfundojmë këtë luftë më të fortë se kurrë”. “Ne do ta shkatërrojmë Hamasin”, theksoi ai, duke shtuar se Izraeli ka mbështetje të madhe ndërkombëtare për operacionin.

Izraeli është duke kryer sulme të vazhdueshme ajrore në Rripin e Gazës që kur militantët e Hamasit kryen sulme të befasishme nga toka, ajri dhe deti ndaj Izraelit më 7 tetor.

Në një njoftim në rrjetet sociale, ushtria e Izraelit iu ka bërë thirrje banorëve të Gazës që të zhvendosen në jug të vendit nga ora 10:00 deri në orën 16:00 në dy rrugë të sigurta.

Më herët, forcat izraelite ushtarake kanë bërë të ditur se kanë vrarë disa persona të cilët janë përpjekur të futen në territorin e Izraelit nga Libani për të kryer sulme. Megjithatë, ende nuk është konfirmuar numri i saktë dhe koha kur ka ndodhur kjo ngjarje. Ditën e premte, ushtria izraelite konfirmoi se po kryente sulme me dronë në objektivat e Hezbollahut në Liban.

Pas sulmeve të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, kufiri me Libanin ka pasur më shumë lëvizje. Ai ka qenë kryesisht një zonë e qetë, që prej vitit 2006 në luftën Izrael-Liban.