Izraeli e cilëson të pamundur tërheqjen e njohjes së Kosovës

Ambasadori i Izraelit në Serbi, Jahel Vilan, e ka cilësuar të pamundur mundësinë që Izraeli të tërheqë njohjen e Kosovës. Ai ka thënë se përderisa dy shtetet janë pajtuar me marrëveshjen për themelim të raporteve diplomatike nuk ka asgjë kontestuese mes dy vendeve.

Në një deklaratë për “TV Prva”, Vilan ka thënë se shteti i tij e ka njohur Kosovën nën presionin amerikan. Në shtator, Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshje “për normalizim ekonomik” në Washington në praninë e ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Një nga pikat kryesore të zotimeve ishte që Izraeli ta njohë Kosovën, e kjo të hapë ambasadë në Jerusalem. Edhe te Serbia ishte zotimi që ky shtet të hapë ambasadë në Jerusalem.

“Vendimi i Izraelit për ta njohur pavarësinë e Kosovës u bë nën presion amerikan, por mos të harrojmë se kjo u bë në korniza të një marrëveshjeje mes Serbisë dhe Kosovës dhe Amerikës dhe jo me ne. Nuk po përpiqem të fshihem pas kësaj, vendimi u bë nga Izraeli pas shumë vitesh mosnjohjesh. Ishte kundër interesave tonë në Serbi”, ka thënë ai. Por i pyetur nëse Izraeli do të tërheqë njohjen e Kosovës, ambasadori e ka cilësuar të pamundur një gjë të tillë.

“Nuk e hsoh të mundshme për momentin. Një marrëveshje është arritur, Izraeli e ka njohur Kosovën dhe Kosova do të hapë ambasadën në Jerusalem. Nuk shoh tërheqje të njohjes përderisa dy shtetet janë pajtuar për këtë në marrëveshje”, ka deklaruar më tej Vilan.
Duke iu përgjigjur qëndrimeve të gazetarit se Serbia nuk e ka njohur Kosovën përmes kësaj marrëveshjeje, Vilan ka thënë se nuk e ka parë vetë marrëveshjen, por ajo është nënshkruar nga Serbia.

“Serbia s’e ka mohuar kurrë që e ka nënshkruar. Askush në Serbi s’ka thënë që s’e ka nënshkruar marrëveshjen. Dokumenti ekziston me aq sa di unë”, ka thënë ai.
Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar ministri i Jashtëm serb, Nikola Selakoviq. Ai ka thënë se qëndrimet e ambasadorit izraelit se Serbia “ka njohur” Kosovën janë të pasakta.