Izrael, shpërthimi i variantit Delta infekton disa të vaksinuar

Rreth gjysma e të rriturve të infektuar nga varianti Delta i Covid-19 në Izrael janë vaksinuar plotësisht me të dyja dozat me vaksinën Pfizer, duke detyruar kështu qeverinë të rivendosë sërish mbajtjen e maskave në ambiente të brendshme dhe masa të tjera shtesë për t’u përballur me llojin e virusit Delta.

Gjetjet paraprake nga zyrtarët shëndetësorë izraelitë sugjerojnë se rreth 90% e infeksioneve të reja janë shkaktuar me gjasë nga varianti Delta, sipas Ran Balicer, i cili drejton një panel këshillues ekspert për Covid-19 për qeverinë. Fëmijët nën 16 vjeç, shumica e të cilëve nuk janë vaksinuar, përbënin rreth gjysmën e të infektuarve, tha ai.

Qeveria këtë javë zgjeroi fushatën e saj të vaksinimit për të përfshirë të gjithë adoleshentët nga 12 – 15 vjeç pas një rritje të infeksioneve midis nxënësve në një qytet në Izraelin qendror. Që atëherë është përhapur shpejt gjeografikisht dhe në grupe të tjera të popullsisë.
Numri i rasteve në Izrael është relativisht i ulët nga standardet globale, por rastet e reja të Covid-19 u rritën në mbi 200 të enjten nga rreth 10 në ditë për pjesën më të madhe të qershorit. Izraeli tani po shqyrton sërish masat anti-Covid-19 pasi u përpoq të rihap shoqërinë dhe ekonominë e tij pas bllokimeve të shumta vitin e kaluar.

“Varianti Delta ka ndryshuar dinamikën e transmetimit,” paralajmëroi prof. Ran Balitzer, i organizatës më të madhe të menaxhimit të shëndetit në Izrael, “Klalit”.
Varianti Delta, i cili u shfaq për herë të parë në Indi në fund të vitit 2020 dhe njihet gjithashtu si B.1.617.2, është zbuluar deri më tani në më shumë se 70 vende të botës. Në Shtetet e Bashkuara, ekspertët e shëndetit publik presin që së shpejti të bëhet varianti dominues.

Zyrtarët shëndetësorë izraelitë janë optimistë se edhe nëse varianti Delta përhapet, provat nga vende si Britania e Madhe tregojnë se vaksina do të parandalojë formën e rëndë të sëmundjes dhe shtrimet në spital që rënduan sistemin shëndetësor në muajt e kaluar të epidemisë. “Izraeli ka regjistruar vetëm pesë raste të rënda në 10 ditët e fundit,” tha Prof. Balitzer, duke shtuar se është akoma herët të dihet se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen.

Në Izrael, fëmijët nën moshën shtatë vjeç, personat me aftësi të kufizuara që iu pamundëson të mbajnë maskën, ose dy punëtorë që punojnë gjithnjë bashkë, përjashtoheshin nga detyrimi për të mbajtur maskë. Qeveria shfuqizoi mbajtjen e detyrueshme të maskës në ambiente të mbyllura 10 ditë më parë dhe shfuqizoi shumicën e masave të tjera parandaluese pas zbatimit të një prej fushatave më të shpejta të vaksinimit në botë. Rreth 80% e izraelitëve të moshës 16 vjeç e lart morën dy doza të vaksinës të zhvilluar nga Pfizer dhe partneri gjerman BioNTech SE.

Zyrtarët shëndetësorë izraelitë thonë selloji shumë ngjitës mund të kenë hyrë në vend përmes aeroportit ndërkombëtar pranë Tel Aviv, ku sistemi që është dashur të kontrollojë çdo mbërritje të re përmes testimit është mbingarkuar në ditët e fundit për shkak të fluksit të udhëtimeve jashtë shtetit.

Të mërkurën, qeveria shtyu vendimin për të lejuar turistët e huaj të hyjnë në vend nga 1 korriku deri në 1 gusht dhe rivendosi kushtet për të mbajtur maskë mbrojtëse në aeroporte.
“Qëllimi ynë në këtë moment, parasëgjithash dhe më e rëndësishmja është që të mbrojmë qytetarët e Izraelit nga varianti Delta që po qarkullon në gjithë botën,” tha të Mërkurën Kryeministri Izraelit Naftali Bennett.