Izet Mexhiti: Do të jemi opozitë e fuqishme, BDI e vetmja parti në listën e zezë amerikane

Në Maqedoninë e Veriut po përgatitet themelimi i një partie të re shqiptare, ndërsa pritet te konfirmohet përçarja e forcës më të madhe, Bashkimit Demokratik për Integrim.

Lajmin e ka konfirmuar në një intervistë për Vizion Plus, nënkryetari i kësaj force politike, Izet Mexhiti, i cili u shpreh se forca e drejtuar nga Ali Ahmeti e ka braktisur çështjen shqiptare.

“Në BDI kohën e fundit flitet vetëm për të keq. BDI është e vetmja parti për momentin që u përfshi në listat e zeza amerikane dhe ndërhyrjen në gjyqësi. Po përflitet që do të ketë edhe figura tjera. BDI për momentin po korrupison, për ndërhyrje në gjyqësi, për thyerje të statutit partiak për luftë kundër mendimit ndryshe”, u shpreh Mexhiti.

“Kur e kemi hapur debatin vijnë edhe iniciativa nga qytetarët. Nuk do të jetë parti klasike, por sigurisht do të jetë një lëvizje demokratike, e cila do të artikulojë mendimin ndryshe, zërin kundër brenda Bashkimit Demokratik për Integrim. Deri tani ka pasur një parti të fuqishme BDI dhe parti të vogla opozitare të cilat nuk e kanë luajtur rolin e opozitës, tani mendoj se do të ketë dy blloqe politike te shqiptarët – do të jetë një pozitë dhe opozitë e fuqishme që detyrimisht do të prodhojë më shumë efekt për shqiptarët”, tha Mexhiti në intervistë për “Vizion Plus”.