Nënshkrimi i Presidentit, Gjorge Ivanov është akt formal që nuk mund ta pengojë Marrëveshjen mes Maqedonisë dhe Greqisë për emrin. Kështu vlerëson ish Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Trëndafil Ivanovski sipas të cilit nëse Ivanov nuk e nënshkruan Marrëveshjen do ta shkel Kushtetutën, andaj askush nuk është i obliguar ta respektojë një shkelje të tillë kushtetuese.
Siç duket këtu duhet marrë parasysh esenca. Kjo esencë është se vlerat themelore të Kushtetutës, vetë situatat kërkojnë që aspak të mos pritet në linjë juridike, nënshkrimi i tij që të mund të ecë shteti përpara. E kundërta do të thoshte bllokim të gjithë shtetit, pengim të mundësisë për euro-integrim, NATO, BE. Ndërsa të gjitha këto janë subjekte që e kanë ndihmuar gjithë këtë proces – tha Trëndafil Ivanovski, Ish Kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Ivanovski vlerëson se ndryshe nga Ligji për përdorimin e gjuhëve i cili mbeti i bllokuar për shkak të inatit të Ivanovit, në këtë rast bëhet fjalë për një Marrëveshje ndërkombëtare të cilën Ivanovi nuk mund ta mbajë peng.
Shihet qartë se bëhet fjalë për keqpërdorim eklatant të një akti formal. Unë personalisht mendoj se ky akt formal i Ivanovit nuk e respekton askënd, respektivisht për shkak se e shkel Kushtetutën. Tjetër është çështja e përgjegjshmërisë, megjithatë në rastin konkret marrëveshja do të hyjë në fuqi. Madje veçmë ka hyrë në fuqi për shkak se është dorëzuar tek përfaqësuesit e Aleancës. Aleanca veçmë ka vendosur të bëjë ftesë – deklaroi Trendafil Ivanovski, Ish Kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Së fundmi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg konfirmoi se për shkak të nënshkrimit të marrëveshjes rreth emrit vendi do të merr ftesë për anëtarësim, por se do të anëtarësohet në NATO sapo kjo marrëveshje të hyjë në fuqi. Ndërsa ka mundësi reale që për shkak të zgjidhjes së emrit, vendi të fillojë negociatat për anëtarësim në BE.