Iu kërkua ta vinte maskën në bankë, milioneri nervozohet dhe i tërheq të gjitha kursimet


Një milioner urdhëroi stafin e bankës të tërhiqte të gjitha kursimet e tij të jetës pasi një roje sigurie i kërkoi të mbante një maskë. Rasti ka ndodhur në Kinë.

Sipas mediave të huaja, imazhet u postuan në internet ku stafi i jepte milionerit të mërzitur maksimumin e lejuar në ditë, që është 5 milionë juanë, ekuivalent me 670 mijë euro.
Milioneri, i cili quhet ‘Sunwear’ në rrjetin social Weibo, ka ndërmarrë veprime drastike pasi thuhet se ishte i neveritur nga trajtimi që iu bë në Bankën e Shangait në rrugën Hongmei në Shangai.

Sunwear thotë se ai ka në plan të vazhdojë të kthehet në bankë çdo ditë derisa të gjitha kursimet e jetës së tij të jenë tërhequr.
Kështu, sipas Mirror, stafi duhej të numëronte me dorë shumën e madhe në ditën e parë që milioneri vendosi të tërhiqte paratë e tij dhe ata do të duhet të bëjnë të njëjtën gjë çdo ditë derisa të tërhiqen të gjitha fondet e tij, përcjell Telegrafi

Në postimin e tij, milioneri, emri i vërtetë i të cilit nuk raportohet, shprehu shqetësimin e tij për shërbimin e bankës, megjithëse ai nuk përshkroi nga ana e tij se çfarë nënkuptonte kjo.
Sidoqoftë, banka këmbënguli se ishte thjesht një moment kur një roje sigurie i kërkoi të mbante një maskë.

Burri i pasur akuzoi stafin e bankës se kishte “qëndrimin më të keq të shërbimit” në trajtimin e tij, edhe pse ai mburret se ka dhjetëra miliona në llogari, duke shtuar: “Për shkak të këtij qëndrimi, unë vetëm mund t’i tërheq të gjitha paratë dhe t’i vendos në banka të tjera”.
Imazhet e milionerit duke ngarkuar kartëmonedha në kuti dhe duke i çuar në makinën e tij luksoze janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale kineze.