Italia është shndërruar në kundërshtaren më të frikshme të Evropianit

Seria pa humbje e Italisë nuk do të zgjasë përgjithmonë dhe përzgjedhësi i Austrisë, Franco Foda, po punon që të jetë ai që do ta ndalojë serinë impresive. Italia është bërë një nga favoritet në Kampionatin Evropian, pasi fitoi të tri ndeshjet në fazën e grupeve, duke shënuar shtatë gola dhe duke mos e pranuar asnjë.
Këto tri fitore në “Euro 2020” e zgjatën serinë pa humbje të ekipit të trajnerit Roberto Mancini në 30 ndeshje – aq sa rekordi i mëparshëm i Italisë i vendosur në vitin 1930.

“Fillimisht u duk se ishte një sfidë e pakapërcyeshme dhe e pamundur për ne, sepse ata nuk kanë humbur për një përjetësi”, tha Foda. “Por, herët a vonë edhe ekipi i Mancinit do të humbë”.
Austria, e cila ka arritur në 1/8 e finales në një turne për herë të parë, do të ketë shansin e saj të shtunën në stadiumin “Wembley” për ta ndërprerë serinë e italianëve. Përveç serisë së pamposhtur, Italia do të përpiqet gjithashtu të vendosë një rekord tjetër. Skuadra nuk ka pësuar gol në 11 ndeshje, gjithsej 1.055 minuta.

Nëse Austria nuk arrin të shënojë, Italia do ta tejkalojë rekordin prej 1.143 minutave të vendosur midis vitit 1972 dhe 1974.
Për një ekip që nuk arriti të kualifikohej në Kampionatin Botëror të vitit 2018, rezultatet e fundit të Italisë janë impresionuese.
Ndeshja e dytë e 1/8 së finales mes Italisë dhe Austrisë luhet nga ora 21:00.

“Është diçka që na bën krenarë, veçanërisht duke marrë parasysh atë që të tjerët menduan për ne para se të fillonte turneu”, tha su*lmuesi i Italisë, Lorenzo Insigne. “Por, ne duhet të mbesim të përqendruar, të qetë dhe të mendojmë për veten tonë. Ne ende nuk kemi bërë asgjë. Objektivi ynë është të shkojmë deri në fund të këtij turneu, pasi nuk ishte vetëm të kalonim fazën e grupeve”.

Insigne, 30-vjeçar, të gjitha meritat për transformimin e Italisë ia lë përzgjedhësit Mancini. Trajneri i mëparshëm, Gian Piero Ventura, humbi mbështetjen e skuadrës gjatë një humbjeje në plejofin e Botërorit kundër Suedisë, kur ai e la Insignen – i konsideruar lojtari më i talentuar i ekipit – në stol.
Insigne ka formuar një partneritet të fortë me Ciro Immobilen, i cili më në fund ka qenë në gjendje të bartë suksesin e tij të shënuesit nga Serie A në skenën ndërkombëtare.

“Është hera e parë që kam luajtur në një ngjarje kaq të rëndësishme në këtë nivel, në një rol kaq të rëndësishëm. Në të kaluarën trajnerë të tjerë kanë përdorur formacione që ishin më pak në përputhje me stilin tim të lojës, megjithëse unë gjithmonë e kam bërë veten të disponueshëm”, shtoi Insigne.
“Tani Mancini po përdor një sistem loje që është më i përshtatshëm për mua dhe për karakteristikat e lojtarëve të tjerë”.
Insigne tashmë ka përvojë duke shënuar në “Wembley”, në një barazim 1:1 kundër Anglisë në një miqësore të luajtur në vitin 2018.

“Ishte vetëm një miqësore, por ishte e pabesueshme të shënosh në atë stadium. Unë mendoj se është ëndrra e të gjithëve të shënojnë në një stadium të tillë. Ne do të përpiqemi të bëjmë një paraqitje të shkëlqyeshme, siç kemi bërë deri më tani”, u shpreh Insigne. “Fuqia jonë është që ne nuk e ndryshojmë kurrë natyrën tonë. Austria vrapon shumë dhe krijon presion, ne do të studiojmë kundërshtarët tanë, por do të përgatitemi për ndeshjen duke menduar se çfarë duhet të bëjmë.

Italia po luan me një frymë të tillë që fjala kryesore për lojtarët është “përrallë”. Mirëpo, askush nuk e mishëron atë më shumë sesa Giacomo Raspadori, një sulmues 21-vjeçar i Sassuolos, i cili nuk kishte luajtur as një lojë për Italinë kur u përzgjodh nga Mancini në mesin e 26 lojtarëve për pjesëmarrje në Kampionatin Evropian. Raspadori u fut si rezervist në ndeshjen e fundit të Italisë në grup, atë kundër Uellsit, duke bërë vetëm paraqitjen e tij të dytë për vendin e tij.
“Kjo është e gjitha një përrallë, si për ekipin ashtu dhe për mua”, tha Raspadori. “Për katër muaj kaq shumë gjëra kanë ndryshuar. Ata që tani janë shokët e mi të Italisë ishin ata që i pashë si idhuj sportivë pak muaj më parë”.