Isuf Koka, shqiptari që mbrojti me armë hotelin në Shkup rrezikon 5 vite burg

Isuf Koka, shqiptari që qëlloi me armë zjarri në ajër për të mbrojtur hotelin e tij në Shkup, rrezikon 5 vite burg. Koka do qëndrojë në paraburgim deri në procesin gjyqësor, ndërsa rrezikon deri në 5 vite burg për shkak të akuzës për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.

Në total, Prokuroria e Maqedonisë së Veriut ka ngritur akuzë kundër 12 protestuesve që kanë lënduar policë dhe kanë shkatërruar institucione publike. Babai i tij disa ditë më parë në një intervistë ekskluzive për Euronews Albania tha se djali i tij ka mbrojtur biznesin e tij në Çarshinë e vjetër të Shkupit, pasi protestuesit do e dëmtonin atë.

Ndërsa, lideri i opozitës maqedonase Hristijan Mickoski vlerësoi se Koka ishte porositur për ta eliminuar atë, gjë që edhe policia por edhe babai i Kokës e refuzoi në mënyrë kategorike. Për këtë çështje ka pasur edhe një reagim nga Ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, i cili ka përgenjështruar kreun e opozitës, Hristijan Mickovski në lidhje me akuzat.