Ismet Guri vetëdorëzohet në polici, dërgohet në burg

Ismet Guri, një aktivist i flaktë i BDI-së, për të cilin ishte shpallur një urdhërarrest ndërkombëtar, sot është paraqitur vetë në polici dhe tashmë është në burg, kanë konfirmuar nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

Guri, së bashku me Ejupi Alimin, ishte i përfshirë në çështjen “Titanik 3” për shkatërrimin e materialit zgjedhor në zgjedhjet lokale të vitit 2013. Aktakuza u hap në vitin 2017 nga ish-Prokuroria Speciale Publike (PSP).

Ish-zëvendës drejtori i Drejtorisë së të Ardhurave Publike fillimisht mori masën e paraburgimit në burg, e cila më vonë iu zëvendësua me arrest shtëpiak për shkak të problemeve shëndetësore. Një urdhërarrest ndërkombëtar u lëshua kundër tij, pasi ai u arratis nga arresti shtëpiak në fillim të këtij viti, pasi nuk u gjet në adresën ku duhej të vuante masën.