Çmimin “Prozart”, të cilin Festivali internacional i letërsisë “PRO-ZA Ballkan” ia ndau autorit të shquar për kontributin autorial në zhvillimin e letërsisë së Ballkanit, këtë vit i takoi shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, për opusin e tij impozant shumëvjeçar romancier dhe eseistik, i cili rregullisht shkakton jehonë të madhe tek kritika evropiane dhe botërore. Për shkak të pamundësisë që festivali të mbahet në terminin e zakonshëm (në fund të majit), laureati e mori çmimin, i cili përbëhet nga statuja dhe pjesa monetare, në shtëpinë e tij në Paris. Organizuesit paralajmërojnë se edicioni i tetë i festivali do të mbahet në vjeshtë.
Në krijimtarinë prozaike të Kadaresë ndërthuren e kaluara dhe bashkëkohorja, miti dhe ironia, individualja dhe kolektivja, të bartura në idiomë shumë specifike, karakteristike, stilistike dhe gjuhësore, që e veçojnë veprën e tij në grupin e kolosëve bashkëkohorë botërorë të letërsisë.
“Me respekt të madh ia ndajmë çmimin ‘Prozart’ shkrimtarit i cili i shënoi gjysmën e dytë të shekullit të kaluar dhe fillimin e shekullit të ri me realizimet e tij letrare provokuese dhe kompakte”, qëndron në arsyetimin e këshillit për ndarjen e çmimit “Prozart”.
Këshillin e çmimit e përbëjnë Ermis Llafazanovski – kryetar, Aleksandar Prokopiev dhe Dejan Trajkovski – anëtarë.
Kadare është autor i shumë librave të njohura ndërkombëtarisht, mes të cilave “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Ura me tri harqe”, “Piramida”, “Trashëgimtari”… TË gjitha këto libra janë të ndryshme për nga tematika, koha dhe hapësira që shtjellohen, por shumë të përafërta me veçoritë etike dhe stilistike thelbësore në fjalorin e Kadaresë.
“I papërmbajtshëm ndaj ndershmërisë së shkrimtarit, por edhe qëndrimit intelektual me kapacitet imagjinar të pashterrshëm, Kadare vazhdimisht gjatë gjysmë shekulli krijimtari i befason njohësit e letërsisë me përpunimin e lartë letrar në tema në të cilat bashkëveprojnë lokalja dhe universalja.
Kadare shprehi falënderim për mirënjohjen, dhe njëherit edhe pikëllim për pamundësinë për ta pranuar çmimin personalisht.
“U pikëllova që nuk do të mund ta pranoj ftesën e festivalit që personalisht ta marr çmimin të cilin ma dhuruat me dashamirësi, por për shkak të pandemisë momentale, shpresoj se mjafton kjo letër falënderimi nga largësia”, shkruan Kadare në letrën e tij, shkruar për këtë rast.
“Kuptohet se më paraqet rëndësi të madhe që çmimi ‘Prozart’ e madhështon letërsinë e Ballkanit dhe jam i nderuar që bëj pjesë në shoqërinë e laureatëve të deritanishëm të kësaj mirënjohjeje. Lexuesit e veprave të mia, ndoshta fillimisht më kanë konsideruar shkrimtar shqiptar, dhe kjo është mjaft e arsyeshme. Ata ndoshta më konsiderojnë edhe autor i cili hulumton ngjarje të caktuara të historisë të cilat nuk janë të rëndësishme vetëm për rajonin ballkanik, si Shekspirin, tragjedinë greke, Luftën e Dytë Botërore, aferën Pasternak.
Ndoshta, megjithatë, vetëm lexuesit e Ballkanit janë ata që mund të vlerësojnë më së miri se si veprat e mia komunikojnë me çështje të identitetit rajonal, si historinë, topografinë dhe të ngjashme. Ndoshta, gjithashtu, një lexues shqiptar apo një lexues kinez do të ndjente një lidhje të caktuar me romanin tim ‘Koncerti’, i cili, mes tjerash, hulumton ftohjen e befasishme të marrëdhënieve kineze-shqiptare, diçka që një lexues australian apo argjentinas nuk mund ta ndjejnë në atë mënyrë, e njëkohësisht ai lexues shqiptar apo kinez ndoshta nuk do ta mbajnë mend periudhën në të cilën ndodhën ngjarjet apo madje as nuk kanë qenë të lindur në atë kohë. E them tërë këtë për të theksuar se çmimi që e madhëron letërsinë e Ballkanit është veçanërisht mirënjohje e mirëseardhur nga krijues të shquar letrarë dhe jam krenar që mund ta jap kontributin tim.
Mund të shtoj se letërsia e Ballkanit është letërsi globale sepse aq shumë autorë ballkanikë, duke më përfshirë edhe mua, lexohen me përkthim. Aq më tepër, çështjet tona rajonale janë çështje globale, ku për shembull, përfundon Evropa? Nuk bëhet fjalë për çështje, në të cilën letërsia e Ballkanit apo cila do tjetër, mund të përgjigjet me definicion, por është çështje në të cilën letërsia dhe historia u treguan fascinante.
Për Via Ignatian shkrova në romanin ‘Ura me tri harqe’, kështu që letërsia, si edhe ura në roman, mund t’i artikulojë ambiciet njerëzore dhe dobësitë njerëzore përmes gjuhëve dhe përmes kohës.
Shpresoj se lexuesit do ta shfrytëzojnë mundësinë të zhyten në letërsi në këto momente të pakëndshme.
Unë, në këtë kontekst delikat të kohës së tanishme, jam shumë mirënjohës që jam thirrur ta pranoj këtë çmim” përfundon letrën Kadare.
Festivali internacional letrar “PRO-ZA Ballkan” edhe këtë vit do të realizohet me ndihmën e Delegacionit të BE-së në Shkup, Ministrisë së Kulturës, Qytetit të Shkupit dhe Institutit “Junuis Emre” nga Shkupi.