Ishte një ndërhyrje e thjesht për t’u dobësuar, por i riu shqiptar humbi jetën. Spitali grek i mori organet

Një histori tronditëse u transmetua sot në emisionin “Shqipëria live”.
Zhaneta Metani rrëfen se si djali i saj iu nënshtrua operacionit për të hequr një masë dhjamore. “Zgjodhëm një klinikë në zonën e Bllokut. Mjeku na tha do të bëjmë analizat, dolën shumë mirë. I thanë që një orë, një orë e çerek zgjat operacioni. Ne nuk i thamë asnjërit, sepse djali donte të thoshte që u dobësua vetë”.

Por, sipas saj, ky operacion, që mjekët e klasifikojnë si të thjeshtë, zgjati shumë seç pritej. “Operacioni zgjati 3 orë. Pastaj, djali dukej mirë por nuk lëvizte. Doktorët thanë do të bëhet më mirë. U operua të enjten, të hënën doli nga spitali. Ia hoqi tubin që derdhte lëngjet dhe i dha një çaj. Por në shtëpi u bë shumë keq”.

Ajo thotë se operacionin e bëri një mjek grek, në një spital privat në Tiranë, që quhet Sotir Gavril.
“Shkuam prapë në spital, por ata nuk e çuan më në spitalin privat, e lanë te klinika në bllok. Mjekët më shmangeshin, nuk më flisnin. Kur shkova ta shihja, djali ishte i lidhur me aparatura, i pavetëdijshëm fare. Ndenji 17 ditë në spital”.

Zhaneta tregon se ka paguar 8 milion e 100 mijë lekë (të vjetra) për operacionin dhe më pas i kërkuan 10 milion lekë (të vjetra) për shtrimin në spital.
Motra e të ndjerit, Anxhela, thotë se vëllain donin ta dërgonin në Greqi, që të mos vdiste në spitalin privat. “Ata synonin vetëm ta nxirrnin nga spitali, që të mos ndodhte vdekja në spital, Gavril dërgoi një ambulancë, që vetëm emrin kishte ambulancë, nuk kishte asnjë aparaturë. Në letrat që u bënë nga spitali, thuhej që s’ka puls, që nuk lejohej të dilte nga spitali, jo më të udhëtonte. Mjeku grek tha duhet ta sillni në spitalin tim në Greqi, që ta trajtoj unë. Në territorin grek, situata është përkeqësuar, shoferi tha që duhet të kthehem në një spital çfarëdo, mjeku grek i tha ajo. Por, shoferi nuk duroi dhe e çoi në spitalin më të afërt, mbërriti pa jetë, në Korint. Mjekët atje kanë thënë që pse e sollët këtu”.

Me lot në sy, e ëma pyet përse nuk i treguan çfarë kishte djali. “Të më thoshin ne e bëmë, por ata e lanë, nuk më thanë asgjë. Më thoshin vetëm pusho se jemi në spital dhe dëgjojnë”.
Sipas avokatit të çështjes, nga verifikimi i organeve u vu re se truri, zemra, stomaku dhe mungonin. “Heqja e organeve bëri që institucionet të mos kryenin ekspertizën dhe çështja të pushohej. U tha se nuk kishin si ta bënin autopsinë”.

Sipas avokatit, është e paprecedentë që organet janë marrë në Greqi dhe shteti shqiptar nuk reagon. “Po të ndodhte kjo gjë në Shqipëri, çështja do të shkonte në Strasburg. Është turp! Nuk e dimë pse ia kanë marrë organet. Do t’i shkojmë deri në fund për mjekun grek dhe dy mjekët shqiptarë”.
Zhaneta kërkon drejtësi për djalin e saj. “Unë dua drejtësi, që dhe fëmija im të prehet i qetë. Ma vranë djalin tim në spital dhe i hoqën organet…”