Ishte i prekur nga COVID-19, ndërron jetë zyrtari policor


Zyrtari i Policisë së Kosovës, Miftar Kurti, i infektuar me COVID-19 ka ndërruar jetë të premten në Spitalin e Përgjithshëm të Vushtrrisë.
Lajmin e ka bërë të ditur koordinatori i Spitalit të Përgjithshëm të Vushtrrisë “Sheikh Zayed”, Bujar Pllana.
Sipas tij, zyrtari policor ka qenë i shtruar në këtë spital rreth tre javë, ndërsa në dy javët e fundit ka qenë i intubuar.

“Dje ka ndërruar jetë zyrtari policor, Miftar Kurti, nga COVID-19. Mbi tri javë ka qenë i shtruar në spital, ndërsa në dy javët e fundit ka qenë në intubim”, ka thënë koordinatori Pllana.

Ndërsa, drejtori i këtij spitali, Mursel Pllana në një prononcim për Telegrafin ka treguar se 33 pacientë për momentin janë duke u trajtuar në këtë spital, të prekur më virusin COVID-19.
Siç tha ai, 24 pacientë janë të konfirmuar me COVID-19, ndërsa për pacientët e tjerë janë duke pritur rezultatet.
“33 pacientë janë të shtruar, ndër ta 24 të konfirmuar me COVID-19. Për të tjerët priten sot rezultatet. 20 pacientë janë më osksigjeno – terapi, ndërsa dy të tjerë janë në gjendje më të rëndë”, ka thënë Pllana.

I pyetur edhe për personelin shëndetësor, ai tha se për momentin 10 teknikë medicinalë janë të prekur me COVID-19.
Ndryshe, vetëm gjatë ditës së premte, në gjithë Kosovën, pozitivë me COVID-19 rezultuan 162 persona, ndërsa 10 persona ndërruan jetë.