Ishte i pavaksinuar, spitali refuzon të ia bëjë transplantin në zemër

Një spital në Shtetet e Bashkuara të Amerikës refuzoi kërkesën e një pacienti për transplant në zemër, pjesërisht edhe për faktin se ai nuk është vaksinuar kundër Covid-19.
31-vjeçari DJ Ferguson ka nevojë urgjente për një zemër të re, por spitali “Brigham and Women” në Boston e ka spostuar nga lista e pritjes, tha babi i tij, David. Ai tha se marrja e vaksinës së Covid-19 është kundër “parimeve bazike” të të birit, që “thjesht nuk beson tek ajo”.

Spitali tha se po ndiqte protokollin për këtë lloj ndërhyrjeje. Në një deklaratë për mediat, spitali tha: “Duke qenë se kemi mungesë organesh jetike, bëjmë gjithçka për të siguruar që pacienti që e merr organin e transplantuar, të ketë mundësitë më të mëdha për mbijetesë”. Një zëdhënës i spitalit tha se vaksina e Covid-19 dhe stili i shëndetshëm i jetës janë vendimtare për kandidatët që mbajnë radhën për një transplant.

Ferguson qëndron i shtruar në spital prej 26 nëntorit 2021. Ai vuan nga një sëmundje në zemër që i shkakton mbushjen me gjak të mushkërive. Organizatori i një llogaria në “GoFundMe”, për të ndihmuar 31-vjeçarin tha se ai ishte i shqetësuar se vaksina do t’i shkaktonte inflamacion në zemër. Ky efekt anësor njihet si shumë i rrallë, dhe i përkohshëm, nga Qendra Amerikane e Parandalimit dhe Kontrollit të Sëmundjeve, CDC.

Dr. Arthur Caplan, kreu i Etikës Mjekësore në Shkollën e Mjekësisë “Grossman” në Universitetin e Nju-Jorkut, tha se për këtë procedurë është e domosdoshme që të kesh marrë vaksinën anti-Covid. “Pas një transplanti të tillë, në zemër, apo veshka, sistemi imunitar fiket plotësisht”, tha Caplan. “Edhe një ftohje e lehtë mund të të vrasë, Covid-19 gjithashtu. Organet janë të rralla, nuk kemi ndërmend t’ia japim dikujt që ka pak mundësi të jetojë. Ata që janë të vaksinuar kanë më shumë mundësi të jetojnë pas operacionit”.

Rasti i babait të tre fëmijëve nuk është i pari që ngre pikëpyetje mbi etikën mjekësore në SHBA. Në fillim të janarit, një grua nga Minesota paditi spitalin, pasi mjekët u përpoqën të hiqnin nga intubimi bashkëshortin e saj, pasi ishte i pavaksinuar. Në tetor, një grua 56-vjeçare në Kolorado, u hoq nga lista e transplantit të veshkës, pasi ajo, dhe dhuruesi, nuk kishin marrë vaksinën anti-Covid. Vetëm 63% e popullsisë amerikane ka marrë të dyja dozat e vaksinës anti-Covid, ndërsa 40% kanë marrë edhe dozën e tretë.