ISHP: Rritje e numrit të të sëmurëve dhe të vdekurve nga Covid-19

Ministria e Shëndetësisë kumtoi se sipas raportit të Institutit të Shëndetit Publik për periudhën nga 5 deri më 11 tetor, gjithsej janë testuar 13,028 materiale në laboratorët që kryejnë testime molekulare për praninë e koronavirusit ose 32.5 për qind më shumë se javën e kaluar.
Janë regjistruar edhe 2,243 raste të reja pozitive nga 33 qytete në vend, që është një rritje prej 86.5 për qind krahasuar me javën e kaluar. Shumica e rasteve të regjistruara janë nga Shkupi.

Përqindja e rasteve pozitive të testuara në këtë periudhë është 17.2 për qind ose 5 për qind më shumë se javën e kaluar.
Janë regjistruar persona të infektuar në të gjitha grupmoshat. Grupmosha më e zakonshme është 30-39 vjeç. Një numër i madh i të sëmurëve është regjistruar në grupmoshat 40-49 ndërsa numri më i ulët u regjistrua tek fëmijët e moshës 0-9.

Nga rastet që u hulumtuan në mënyrë epidemiologjike janë regjistruar 94 (7,1 për qind) të hospitalizuar, ndërsa te 319 (23,7 për qind) është regjistruar prani e komorbiditeteve. Nga numri i përgjithshëm i rasteve të reja, 513 (38.1 për qind) kishin kontakte me një rast të konfirmuar. Janë regjistruar 22 (1.6 për qind) njerëz me histori udhëtimi (në 14 ditët e fundit).

Pas marrjes së dy testeve negative për praninë e SARS-CoV-2 ose përdorimit të algoritmit të ri, si të shëruar janë shënuar 815 persona që kanë qenë të hospitalizuar ose janë mjekuar në shtëpi, 29 më shumë krahasuar me javën e mëparshme.
Janë raportuar 31 vdekje nga 15 qytete, një më shumë se javën e kaluar. Për sa i përket moshës, 26 persona ishin mbi 60 vjeç, ndërsa 4 persona të moshës 50-59 vjeç. Vetëm një person është në grupmoshën 40-49 vjeç. Komorbiditete janë regjistruar te 24 persona të vdekur.

Raporti i hollësishëm i Institutit të Shëndetit Publik mbi situatën me Kovid-19 për periudhën nga 5-11.10.2020, si dhe situata Kumulative me Kovid-19 në Republikën e Maqedonisë së Veriut është publikuar në ueb faqen e Institutit të Shëndetit Publik