“Isha e detyruar të të lija”, nëna biologjike flet për herë të parë me djalin e saj

I rritur nga nëna birësuese, Valentina, prej së cilës ka pak kohë që e ka marrë vesh të vërtetën, Kristiani pranon që të bëjë një lidhje telefonike me nënën e tij biologjike. Zonja është kontaktuar nga stafi i rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E diela shqiptare” në Tv Klan. Ajo ka kërkuar të mos bëjë publike asgjë si vendndodhja apo rrethanat e saj.

Në komunikimin e parë me Ardit Gjebrean, ajo shpjegon se Kristianit nuk i kishte vendosur një emër kur e lindi. Ajo kërkon falje që nuk mund të ishte e pranishme në emision për shkak të gjendjes shëndetësore dhe rrethanave familjare.

Ardit Gjebrea: Do të ishit e gatshme që të takoheshit me Kristianin?

Nëna biologjike: Po, po! Që në momentin e parë që dëgjova për djalin. Unë e dua aq shumë sa zemra ime e di.

Ardit Gjebrea: Ne mund t’ia japim numrin tënd Kristianit dhe Valentinës?

Nëna biologjike: Po. Djali nëse dëshiron, t’i dëgjoj një çikë zërin.

Për herë të parë në 23 vjet, nënë e bir dëgjojnë zërin e njëri-tjetrit.

Nëna biologjike: Më fal zemër që nuk erdha, por jam shpirtërisht aty.

Kristian: Po ku ishe gjithë këto kohë?

Nëna biologjike: Unë isha e detyruar që të të lija. Megjithatë nuk do doja të bëja asgjë publike, kur të takohemi nënë e bir do t’i sqaroj të gjitha një për një. Kur të takohemi nënë e bir bashkë, do t’i sqaroj të gjitha rrethanat si erdhën.

Në përmbyllje të telefonatës së saj, nëna biologjike i tregon Kristianit se ai ka tre vëllezër dhe një motër që mezi presin ta njohin. Ajo i premtoi një takim shumë shpejt, ku e pranishme do të jetë edhe Valentina./tvklan.al