Ish zëvendësministëri i Shëndetësisë emërohet drejtori në spitalin e Strugës

Për drejtor të ri në spitalin e Strugës sot është emëruar mjeku Armend Arsllani, ish zëvendësministër i Shëndetësisë, ka informuar ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe i cili pardje e shkarkoi nga detyra Muhamed Hasanin pas rastit ku një lehonë nga Dibra mbeti pa tre organet e saja.

“Mjeku punon konform kompetencave të tij, ndërrimi nuk ka qenë vetëm për këtë rast, por edhe në kuadër të ingerencave që ishin në anën e Inspektoratit shtetëror sanitar shëndetësor. Do të presim të përfundojnë të gjitha procedurat dhe analizat dhe pastaj do të japim komentin”, ka thënë ministri Filipçe i pyetur nëse Hasani vazhdon me punë.

Filipçe ka informuar se po përfundojnë procedurat administrative që gjinekologu të regjistrojë ordinancë në Shuto Orizare dhe të fillojë me punë.
“Tani me të vërtetë ka një sistem të shpërndarjes së mjekëve dhe motrave medicinale nga shtëpitë shëndetësore në pikat për vaksinim dhe në pjesën e sistemit për rotacion ku punohet në qendrat e kovidit. Po përfundojnë procedurat administrative që mjeku gjinekolog të regjistrojë ordinancën e vet dhe të fillojë të punojë në lagje”, ka thënë Filipçe në pyetjen e gazetarëve lidhur me gjendjen shëndetësore në Shuto Orizare ku tani për tani ka vetëm një mjek dhe një motër medicinale.