Ish ushtari nga Sllupçani nuk pajtohet me Ahmetin: “Shqiptarët në Maqedoni nuk kanë status dinjitoz!”

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti në një intervistë për “Argument Plus” në RTV21 në Kosovë tha se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë element shtetformues. Ahmeti theksoi disa nga arritjet që janë bërë falë Marrëveshjes së Ohrit.

“Në Maqedoni deri në vitin 2001 kanë qenë 160 policë shqiptar, sot janë mbi 2500. Deri në 2001 kanë qenë 65 oficerë dhe nënoficerë, sot janë 2000 oficerë dhe nënoficerë. Do të thotë shqiptarët këtu nuk janë minoritarë, por shqiptarët janë element shtetformues”, tha mes tjerash Ahmeti.
Ende pa përfunduar emisioni, ish ushtari i UÇK-së nga Sllupçani, Fejzulla Arifi, i ka replikuar kryetarit të BDI-së, duke theksuar se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut ende nuk kanë status dinjitoz siç e meriton një popull i vjetër në trojet e veta.

“Nëse e shikon shtetin nga perspektiva e një populli të pastreh e nomad atëherë ashtu edhe mund të duket por për një popull autokton dhe me histori mijavjeçare e që ka derdhur lumej gjaku për liri ky status që kemi aspak nuk eshte dinjitoz për ne”, ka komentuar ish ushtari Fejzulla Arifi.