Ish-pjesëtari i UÇK, Blerim Ramadani, arratiset nga arresti shtëpiak në Shkup

Ish-pjesëtari i UÇK-së, Blerim Ramadani nga Kosova, i cili muajin e kaluar u arrestua në kufirin kosovaro-maqedonas bazuar në një urdhër-arresti të Interpolit të lëshuar me kërkesë të Serbisë, është arratisur nga arresti shtëpiak nga shtëpia e të afërmve në Maqedoni.

Nga organi kompetent gjyqësor është dorëzuar dokumentacioni në Ministrinë e Punëve të Brendshme për shpalljen e një fletë-arresti qendror për personin B.R., pasi aktualisht është i paarritshëm për organet e ndjekjes. MPB-ja po ndërmerr masa për gjetjen e personit, konfirmuan nga MPB-ja.

Ramadani, bazuar në urdhër-arrestin ndërkombëtar të lëshuar nga Interpoli me kërkesë të Serbisë, u arrestua më 17 korrik 2024 në pikën kufitare Jazhincë dhe u dërgua për 30 ditë në paraburgim ekstradimi në burgun e Shutkës. Përmbajtja e urdhrit të arrestit bazohet në dyshimet e Serbisë se Ramadani, si ish-ushtar i UÇK-së, ka kryer krime lufte në rajonin e Nerodimes.

Më 1 gusht, masa e Ramadani u ndryshua nga “paraburgim” në “arrest shtëpiak” nga një gjykatë kompetente maqedonase dhe ai sipas vendimit, u dërgua në një adresë në Shkup. Me këtë vendim parashikohej që ai të qëndronte në “arrest shtëpiak” deri më 16 gusht.

Ministri serb i punëve të brendshme Ivica Daçiç, gjatë vizitës së tij në pikën kufitare Tabanoc më 25 korrik, kërkoi nga autoritetet e Shkupit ta ekstradojnë Ramadanin në Serbi. Çështja e ekstradimit të tij u ngrit edhe gjatë vizitës së ministrit të punëve të brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në Shkup më 31 korrik. Sveçla deklaroi se Shkupi duhet të vendosë në mënyrë të pavarur, duke akuzuar Serbinë për tendenca për të prishur marrëdhëniet ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas mediave kosovare, Ramadani është shtetasi i tretë i Kosovës si ish-ushtar i UÇK-së, i arrestuar në Maqedoninë e Veriut bazuar në një urdhër-arrest serb. Gafur Dugolli dhe Tomor Morina u arrestuan në të kaluarën, por me vendim gjyqësor u liruan.