Refuzimi për t’i financuar fushatën në të cilën Milaim Zeka po pretendonte të zgjidhej deputet i Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016, ishte shkaktari që sipas Ilir Krasniqit, çoi në konflikt dy ortakët Milaim Zekën dhe Ilir Krasniqi.
Krasniqi, në një intervistë për KTV –në, pas disa muaj qëndrimi në paraburgim, me dyshimet se ai bashkë me deputetin e Nimsës, Milaim Zekën, kishin mashtruar mbi 900 qytetarë për viza, thotë se pas mosmarrëveshjeve që pati me partnerin e tij Milaim Zeka, ai u thirr për intervistim nga Policia e Kosovës, raporton KTV.
Krasniqi thotë se deri tani, u ka kthyer rreth 186 mijë euro aplikuesve të cilëve u kishte marrë paratë në këmbim të vizave.
Por, thotë se aplikuesit po vazhdojnë ta kërcënojnë atë dhe familjen e tij për kthimin e mjeteve të tjera.
Krasniqi thotë se konfiskimi i pasaportës dhe hetimet që bëhen ndaj tij, kanë bërë që ai të mos e shohë familjen dhe gruan, e cila vuan nga kanceri tash e një kohë.
Mirëpo, avokati i Milaim Zekës, Gazmend Halilaj, thotë se klienti i tij nuk pati nevojë asnjëherë për fushatë dhe se ka mjaftueshëm prova të cilat tregojnë për pafajësinë e Zekës.
KTV-ja ka një muaj që ka kërkuar përgjigje nga Prokuroria e Shtetit, lidhur me hetimet për këtë rast dhe gjithashtu pretendimet e Ilir Krasniqit, po prokuroria nuk ka dhënë ndonjë përgjigje.
Deputeti i Nismës, Milaim Zeka dhe Ilir Krasniqi, ishin arrestuar dhe respektivisht, ndaluar nga Policia e Kosovës me dyshimet se ishin përfshirë në një skemë mashtrimi me viza pune në Gjermani, duke mashtruar 920 qytetarë përmes agjencisë së punësimit.