Ish-Myftiu i Tiranës: “Duhet të ligjërohen martesat e burrit me disa gra”

Ish-Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra thotë se një burrë nuk mund të jetë i martuar me disa gra njëkohësisht dhe se kjo duhet të rregullohet nga ana ligjore.

Në emisionin “Good Morning Albanians” në Euronews Albania, Gurra u shpreh se ka pasur disa raste në xhami, të martesës së një burri me disa gra.

“Në aspektin ligjor, ata janë në shkelje të ligjit. Nuk duhet të ndodhë në atë mënyrë që ndodh. Absolutisht. Ka pasur disa raste në xhami. Ka raste që ka edhe braktisje të këtij lloji, ndërkohë që nuk ka vënë në dijeni ish-bashkëshorten. Poligamia e lejuar sipas tekave personale të individëve është ekstrem”, theksoi ai.

Ka bërë shumë bujë së fundmi deklarata e islamologes Ikballe Huduti në një program televiziv në Kosovë, teksa ajo është shprehuar se i ka gjetur vetë edhe dy gra të tjera për burrin e saj.

Kjo deklaratë nuk është pritur mirë nga shumë gra të tjera besimtare të cilat nuk bien dakord me këtë zgjedhje të Ikbales.

Nuk është vetëm rasti i saj sepse më herët është përfoluar po ashtu në media për gra të tjera të njohura publikisht të cilat kërkojnë që të legjitimohet poligamia dhe që bashkëshortët e tyre të jenë të lirë të kenë sa gra të duan, për aq kohë sa mund t’i trajtojnë të gjitha njësoj.