Ish-kryesuesja e bordit të Telekomit ka 4 vende tjera të punës

Qeveria e Albin Kurtit javën e kaluar ka shkarkuar bordin e drejtorëve të Telekomit, të cilin e kryesonte Besa Shatri – Berisha. Gruaja e deputetit të AAK’së, Bekë Berishës, nuk do të mbes keq sepse ka edhe katër vende të tjera të punës. Ndër to, ajo vazhdon të jetë e punësuar edhe në KEK. Shatri tregon se aty punon që 11 vite, ndërsa shkarkimin nga Telekomi e quan “politik”.
Kryeministri Kurti ka mundur ta shkarkojë Besa Shatri – Berishën nga një pozitë, megjithatë ajo vazhdon të punojë edhe në një ndërmarrje tjetër publike.

Shatri është menaxhere e kontabilitetit në Korporaten Elektroenergjetike të Kosovës.
Në deklarimin e pasurisë që deputeti Bekë Berisha e ka bërë në vitin 2019, gruaja e tij merr pagë vjetore më shumë se 20 mijë euro në KEK.
Në një përgjigje dhënë Gazetës Express, Shatri ka treguar se aty punon që 11 vjet dhe se është menaxhere e Kontabilitetit Qendror.

Shatri-Berisha, sipas deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, merrte pesë paga nga pesë vende të ndryshme, dy prej tyre kompani publike, derisa u shkarkuar nga kryesimi i bordit të Telekomit. Dy të tjerat janë kompani private dhe një organizatë joqeveritare.

Ajo thotë se arsyeja e shkarkimit të Bordit të Telekomit, ku është paguar 7.228 euro në vitin 2019, është politike dhe nuk qëndrojnë ato që i ka thënë kryeministri Kurti.
“Është politike. Asnjë arsyetim tjetër nuk qëndron”, ka thënë Shatri.
Arsyeja e shkarkimit të bordit të drejtorëve të Telekomit është gjendja në të cilën gjendet kompania publike. Ministrja për Zhvillim Ekonomi, Rozeta Hajdari ka thënë se Telekomi nuk ka përmbushur planin e biznesit, drejtorët e bordit kanë lejuar shpenzime të tepërta dhe se një rezolutë e miratuar në Kuvend për gjendjen e Telekomit e shihte të udhës që të shkarkohet bordi.

“Ndërmarrja është në gjendje të rëndë ndodhet në prag të falimentimit. Konstatoj domosdoshmërinë e vendimit të menjëhershme të qeverisë i propozoj qeverisë të: 1. Shkarkohet bordi i ndërmarrjes publike Telekomit. 2. Shfuqizohet vendimi i 29 marsit 2018 dhe 11 qershor 2019 të vendimeve të qeverisë për emërimin e drejtorëve”, ka thënë ministrja Hajdari në mbleldhjen e fundit të Qeverisë.
Këtë propozim e kishte arsyetuar kryeministri Kurti, i cili tha se për këtë vendim janë marrë parasysh raporti i auditorit dhe është thirrur mbi ligjin për Ndërmarrjet Publike.

“Për të vlerësuar gjendjen është marrë parasysh raporti i auditorit për vitin financiar 2018. Qeveria mund t’i shkarkojë drejtorët nëse për dy vjet bie vlera e aseteve dhe bie kënaqësia e qytetarëve me shërbime. Qeveria mund t’i shkarkojë nëse i kanë shkelur detyrat financiare.. Qeveria konstaton se ka arsye se drejtorët kanë shkelur detyrat financiare. Pika e 4 e rezolutës së Kuvendit kërkonte shkarkimin e drejtorëve të ndërmarrjes. Qeveria duhet t’i zbatojë rezolutat”, ka deklaruar ai.