Ish-komandanti i Batalionit “Atlantikut”: “Listat e veteranëve të UÇK-së janë fryrë”

Ish-komandanti i Batalionit “Atlantiku”, Gani Shehu ka thënë se lista e veteranëve të UÇK-së është e fryrë, por ka thënë se nuk mund të manipulojë me numra.

Shehu, duke folur për protestën e sotme të veteranëve, ka thënë se nëse Qeveria e Kosovës i rrit pagat për të gjithë sektorin privat e për administratën publike, e nëse i lë anash veteranët, atëherë kjo mund të shihet si diskriminim. Ai ka thënë se në rast të tillë qeveria duhet të reflektojë dhe të bisedojë edhe me veteranët, por edhe me partitë opozitare për të gjetur një zgjidhje. Megjithatë, ai ka pranuar se në listë ka veteranë të rrejshëm.

“Kjo çështja e fryrjes së listës së veteranëve të luftës është shumë e ndjeshme. Jam shumë i sigurt se janë fry listat, por në çfarë suaza e në çfarë numra nuk mund të manipulojë dhe se kam atë drejtë të flasë sepse nuk kam evidencë. Por, nuk kam dyshim që janë listat fry”, ka thënë Shehu në RTK.

Sipas tij duhet që ky proces të nisë sërish nga fillimi, në mënyrë që njëherë e përgjithmonë të hiqen dilemat për veteranët e rrejshëm dhe të mos përfitojnë ata që nuk kanë dhënë kontribut në luftë në dëm të luftëtarëve të vërtetë.

“Nuk është e vështirë që të identifikohen ata që janë të rrejshëm. Nëse e marrim për bazë mënyrën se si kemi qenë të organizuar në luftë, nga zona operative nëpër brigada e batalione, atëherë secili eprorë në mënyrën e vet e ka pas një listë dhe një mundësi për të pasur listë të veteranëve të vërtetë. Ndoshta është një proces që duhet të rishikohet nga fillimi dhe të pastrohet një herë e përgjithmonë kjo dilemë“, ka shtuar Shehu.

Ish-komandanti i “Atlantikut” tutje ka thënë se nuk i fajëson veteranët për këtë çështje, por ata që nuk kanë qenë në luftë dhe kanë përfituar nga përfshirja në listën e veteranëve. “Me këtë pjesë të njerëzve duhet të merret drejtësia”, ka thënë ai. Shehu mendon se është dashur që vetë ushtarët dhe luftëtarët e vërtetë të jenë më të zëshmit në këtë drejtim dhe t’i identifikojnë shkelësit e këtij procesi.

“Është e padrejtë që njerëzit që nuk kanë qenë në luftë të marrin statusin e luftëtarit, veteranit apo invalidit. Nuk them që është i lehtë të përmbyllet si proces, por identifikimi i luftëtarëve dhe ushtarëve të vërtetë është i lehtë sepse çdo zonë operative me njësitë tjera vartëse ka pasur një hierarki dhe secili sikur ta bënte punën e vet me kohë atëherë do të ishte një proces që do të mund të përmbyllej dhe të ecej përpara”, ka nënvizuar Shehu.