Ish-këshilltari i Thaçit: Me paratë që shpenzoi Kurti për 1 votë të Abazit, do të bliheshin 250 vaksina antiCOVID

Adil Behramaj, ish-këshilltari i Hashim Thaçit, ka reaguar pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë sot në votim në zgjedhjet e Shqipërisë, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas tij, Kurti shpenzoi paratë e kosovarëve për të votuar atje, teksa bëri edhe llogari duke thënë se vota e sotme i kushtoi 2 mijë euro, e që me të cilat do të mund të bliheshin së paku 250 vaksina antiCOVID.

“Si përfundim, me këtë buxhet do të bliheshin së paku 250 vaksina për qytetarët e Kosovës ose nëse vlerësojmë me politikën sociale të Kurtit, mund të bliheshin rreth 8 mijë bukë!”, shkroi ndër të tjera ai.
Postimi i plotë i Behramajt në Facebook:

Qe shpenzimet e Kurtit nga taksat tona për një votë të tij për Bojken Abazin.

5 xhipa nga 100 euro karburant, 500 euro. Së paku 10 policë të mbrojtjes së afërt nga 35 euro mëditje, 350 euro. Kurti dhe ekipi i tij, po ashtu, së paku 10 veta nga 35 euro mëditje, 350 euro. Ndërsa, një drekë për të gjithë këta shkon deri në 2 mijë euro!

Si përfundim, me këtë buxhet do të bliheshin së paku 250 vaksina për qytetarët e Kosovës ose nëse vlerësojmë me politikën sociale të Kurtit, mund të bliheshin rreth 8 mijë bukë!/