Ish-kandidati për president: Vlora Çitaku, e preferuara e PDK-së për presidente të Kosovës

Ish-kandidati për president të Kosovës Seremb Gjergji ka thënë se kandidate e Partisë Demokratike të Kosovës për presidente të vendit do të jetë ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Vlora Çitaku. Në një intervistë për klankosova.tv ai ka thënë se përkundër dëshirës së kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinajt për t’u bërë president ai nuk do të arrijë t’i plotësojë kushtet për t’i hyrë një gare të tillë.

“Dëshira e Ramush Haradinajt për t’u bërë president është vetëm një dëshirë e partisë së tij sepse dihet që nevojiten minimumi 61 vota për t’u zgjedhur president; ndërsa herën ë parë dhe të dytën nevojiten dy të tretat e votave”.
“Para se të hyjë në garë një kandidat për president duhet t’i mbledhë 30 nënshkrime nga deputetët në mënyrë që të ketë mundësi të futet në garë për presidentit”. “AAK nuk i plotëson këto kushte dhe një prej tyre është se nuk i ka 30 deputetë për t’ia siguruar nënshkrimet.

Sipas tij nëse PDK futet në koalicion qeveritar atëherë votat dhe nënshkrimet e LDK-së i merr PDK-ja.
“Kandidat i ardhshëm për president të Kosovës nga radhët e PDK-së do të jetë Vlora Çitaku”.
“Haradinajt mund t’ia japin nënshkrimet vetëm sa për ta plotësuar kriterin e dy kandidatëve sepse Kushtetuta kërkon dy e më shumë kandidatë”.