Isen Shabani kërcënon me polici kryetarin e Bashkësisë Lokale Dobërdoll, reagon Lëvizja BESA

REAGIM

Kryetari i komunës së Vrapçishtit z.Isen Shabani në mënyrë të turpshme edhe më tej vazhdon konfrontimet personale me qytetarë të komunës së Vrapçishtit konkretisht me banorë të f.Dobridoll dhe paraqitjen e tyre në stacionin policor për gjoja “sulm fizik ndaj personave zyrtarë”. Rastin më të freskët patëm sot gjatë përurimit të asfaltimit të rrugës së një lagjeje në f.Dobridoll, financimi i së cilës është realizuar nga banorët e lagjes përkatësë me mbi 80% të mjeteve dhe të cilin investim kryetari i komunës Isen Shabani tani në prag të zgjedhjeve mundohet të paraqesë si investim të komunës me qëllim të përfitimit të poenave politike, mirëpo sot gjatë asfaltimit të rrugës kanë reaguar banorët e lagjes përkatëse dhe kryetari i bashkësisë lokale të f.Dobridoll z.Zurap Muaremi i cili sikurse sot edhe disa herë më parë nga kjo udhëheqësi e komunës është denoncuar në polici për gjoja sulm fizik dhe verbal ndaj personave zyrtarë të komunës. Duke marrë parasysh faktin që kryetari i bashkësisë lokale z.Zurap Muaremi para disa ditëve kaloi nga rradhët e ASH-së në Lëvizjen BESA, vazhdon hakmarrja dhe revanshizmi i kryetarit të komunës ndaj tyre.

Ne si Lëvizjes BESA dega Vrapçisht dënojmë ashpër tentativat e kryetarit të komunës për të frikësuar qytetarët nëpërmjet paraqitjes së tyre në polici dhe se denoncimi i tillë është bërë me motive politike. Apelojmë deri te kryetari i komunës Isen Shabani të mos merret me aktivistë të subjekteve tjera duke bërë oponencë me t’a nëpërmjet frikësimit dhe denoncimit të tyre në stacionet policore, të mos manipulojë opinionin dhe të mos lavdërohet me investimet e qytetarëve tani në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.