Isa Mustafa, sapo ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të LDK-së.
Kështu ka deklaruar Mustafa para mediave, në ditën kur pritet të zgjedhet kryetari i ri i LDK-së.
“Dëshiroj të ju njoftoj se porsa dhash dorëheqje nga pozita e kryetarit të LDK-së, dorëheqja ishte e parevokueshme. Falënderova strukturën për punën 10-vjeçare, kam pas besim, e kam besim edhe sot se ky kuvend do të nxjerr një kryetar që do ta çojë LDK-në përpara. Si parti e të gjithë gjeneratave, që kultivon partneritet me SHBA-në e BE-në, e cila në asnjë rast nuk duhet t’i mungoj skenës politike të Kosovës”, deklaroi Mustafa ndër të tjera.
Deri tani, kandidatë për kryetar të LDK-së janë deklaruar Lutfi Haziri, Lumir Abdixhiku e Besian Mustafa. Mbi 330 delegatë nga 38 degë të LDK-së nga të gjitha komunat do të mblidhen sot për ta dhënë votën e tyre. Siç parasheh statuti, vetëm brenda Kuvendit zyrtarisht do të dihet zyrtarisht kush janë kandidatët.
Në organin më të lartë të LDK-së, që e përbëjnë delegatë të zgjedhur nga kuvendet e degëve, plus kryetari i subjektit [Isa Mustafa], mund të kalojnë vetëm ato kandidatura që marrin fillimisht aprovimin e delegatëve. Në mënyrë që të konfirmohet si kandidat për kryetar, secilit prej pretendentëve u duhet t’i marrin 50% plus një të votave të delegatëve.