Irritohen mërgimtarët: Mjaft me gënjeshtra dhe maltretime

Gjatë ditës së shtune kolona të gjata, diku tri kilometra, janë krijuar në pikën kufitare me Serbinë, në Merdare.

Pritjet e bashkatdhetarëve për të dalë nga Kosova vazhdojnë të jenë 8 deri në 10 orë, ndërsa për të hyrë në Kosovë pritjet janë prej 3 orë e gjysmë.

Udhëtarët, të moshave të ndryshme, ishin të lodhur dhe të mllefosur me pritjet e gjata, të cilët mendojnë se këto pritje nuk janë normale dhe sipas tyre në asnjë shtet tjetër nuk ndodh kështu.

Përparim Pajazitaj, i cili udhëtonte me familje për në Gjermani, kërkoi nga mërgimtarët që mos të vijnë asnjë herë me vetura në Kosovë, sepse këto pritje prej 10 orësh sipas tij nuk janë normale.

“Që dhjetë orë jemi duke udhëtuar dhe i kemi edhe dy mijë kilometra, nuk mërzitet kush”, ka thënë Pajazitaj, raporton Kosovapress.

Letafetë Osdautaj u shpreh e brengosur që nuk do të arrijë me kohë në punë të hënën në Gjermani, tha se me këto pritje gati 8 orë në kolonë janë të lodhur dhe të maltretuar, përcjell albinfo.ch.

Ndërsa, Shefki Zeka i cili ishte duke udhëtuar me familje për në Zvicër, tha për KosovaPress se ka pritur tetë orë në kolonë dhe i bie pishman pse po vjen në Kosovë, sepse sipas tij, po maltretohen çdo herë në pikën kufitare në Merdarë.

Gjithmonë njëjtë

“Çdo herë kështu e kemi njësoj, s’di pse po vij, ku po vijmë. Po na gënjejnë, s’ka pritje, dy orë, një orë, qe shihe, një gjysmë ore dy vetura”, ka thënë Zeka.

Ndërkaq, bashkatdhetarët të cilët kanë pritur gjatë për të hyrë në Kosovë, fajësojnë autoritetet kosovare, veçmas kompanitë e sigurimit për vonesë.

Blerim Zymeri, i cili kishte ardhur nga Gjermania, ka thënë se tri orë e gjysmë kanë pritur në kufi, dhe beson se fajtorë për këto pritje kanë qenë pala shqiptare, për sigurim të veturës.

Edhe Hajdin Grulaj, i cili vinte nga diaspora, tha se ka pritur gjatë në kolonë, dhe këtë ai e quan maltretim.

Edhe bashkatdhetarë të tjerë janë shprehur të mllefosur për pritjet e gjata në kufi.

Policia sipas zëdhënësit Daut Hoxha e ka planin e veçante për menaxhimin e fluksit gjate sezonit në kufijtë e saj, mirëpo sipas tij, një bashkëpunim dhe bashkërendim të aktiviteteve me agjencitë e kontrollit kufitarë të shteteve fqinje, që në disa raste kjo po mungon, siç është rast në kufirin me Serbinë.