Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic, ka ironizuar duke thënë se lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është duke ia zgjidhur Serbisë edhe zhvillimet e saj të brendshme. Vucic theksoi se dialogu me Kosovën është një nga gjërat më të rëndësishme, ndërsa i pati disa fjalë edhe për Albin Kurtin, duke ironizuar.
“Ju nuk keni një përgjigje adekuate, unë shoh se situata jonë e brendshme është duke u zgjidhur nga Albin Kurti, i cili foli për atë se si duhet të duket Serbia dhe kush duhet të jetë në pushtet. Ndaloni, heshtni, lërini të vazhdojnë, të gjithë janë të fortë Ne do t’i lëmë të shkojnë, le ta bëjnë punën e tyre, ne do ta bëjmë tonën”, u tha Vucic gazetarëve në aeroportin e Beogradit pasi mori vaksinën Astra-Zeneka.
Në lidhje me faktin se Kurti thotë se nuk është i interesuar për dialog me Beogradin më shumë sesa me serbët në Kosovë, Vucicthotë se “përfaqësuesit e serbëve nga Kosova nuk janë ata që marrin 0.62% ose ata që marrin 2% të votave nga ta, por ata që marrin 95%”. “Ata u përpoqën në çdo mënyrë të instalonin serbët me të cilët duan të flasin, nga Rashiq te Rada Trajkoviq, kështu që nuk patën sukses. Ju mund ta blini dikë por s’mund t’i blini 95% të njerëzve”, theksoi Vucic
Ai gjithashtu tha se kjo situatë është jashtëzakonisht e vështirë për Serbinë, pothuajse e pashpresë, pas vitit 2004, 2008 dhe 1999, por shtoi se “duhet të luftojmë ende për njerëzit tanë, interesat e tyre dhe të drejtën tonë”. “Do të jetë e vështirë për ne, dhe për ta, siç thonë ata, gjithçka është e lehtë. Do ta shohim se sa e lehtë do të jetë”, përfundoi Vucic.