Irlanda liberalizon abortin, kryeministri: Historike, një revolucion i qetë!


Kryeministri irlandez përshëndeti mbrëmjen e së shtunës, atë që e quajti si kulmin e një “revolucioni të qetë” në njërin prej vendeve dikur më konservatore të Europës, pas votimit historik në referendumin për të liberalizuar ligjet tejet kufizuese mbi abortin.

Votuesit, edhe pse nga një vend thellësisht katolik, e mbështetën ndryshimin me thuajse 66% të votave, një marzh shumë herë më i lartë sesa e përcaktonin sondazhet e opinionit publik përpara se të votohej, e tashmë qeveria pritet ta miratojë ligjin deri në fund të vitit.

“Është e pabesueshme. Për vite e vite të tëra jemi përpjekur të kujdesemi për femrat, por nuk kemi mundur ta bëjmë këtë. Kjo nënkupton shumëçka”, tha Mary Higgins, mjek obstetër dhe pjesë e fushatës “Së bashku për Po”.

Për dekada të tëra, ligji ka detyruar mbi 3.000 gra të udhëtonin drejt Britanisë çdo vit për të kryer abortet, ndërsa ata të fushatës “Po” sollën edhe argumentin se, duke parë se shumica e femrave po prenotonin gjithnjë e më shumë pilula në internet, atëherë aborti ishte kthyer realitet në Irlandë.

Fushata u përcaktua nga gratë që ndanin publikisht eksperiencat e dhimbshme të largimit nga vendi për procedurat, një arsye kryesore përse vetëm një në 40 gra në Irlandë votuan “Po” gjatë ditës së djeshme.

Kryeministri Leo Varadkar, i cili bëri gjithashtu fushatë për të shfuqizuar ligjet aktuale, e kishte quajtur votimin në këtë referendum si diçka që ndodhte një herë ndër breza, ndaj dhe votuesit iu kundërpërgjigjën duke dalë në masë për votime. Pjesëmarrja prej rreth 64% shënoi kështu edhe një nga më të lartat për një referendum të mbajtur në Republikën e Irlandës.

“Kjo e sotmja është një ditë historike për Irlandën. Një revolucion i qetë sapo ka ndodhur”, tha Varadkar, i cili u bë kryeministri i parë homoseksual i Irlandës gjatë vitit të kaluar.

“Kushdo meriton një mundësi të dytë. Kjo është mundësia e dytë për Irlandën, për të trajtuar cilindo në mënyrë të barabartë, me dhembshuri e respekt. Kemi votuar për ta parë realitetin në sy dhe jo të ecim qorrazi”