Irani lëshon urdhër-arresti për presidentin Trump

Irani ka lëshuar një urdhër arresti dhe i ka kërkuar ndihmë Interpolit për arrestimin e Presidentit Donald Trump dhe dhjetëra personave të tjerë që beson se janë përgjegjës për një sulm me dron gjatë të cilit u vra në Bagdad një gjeneral i lartë iranian. Lajmi u njoftua të hënën nga një prokuror vendas. Ndërsa Presidenti Trump nuk përballet me asnjë rrezik për arrestim, akuzat nënvizojnë tensionet e rritura mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara që kur administrata Trump vendosi të tërhiqej nga marrëveshja bërthamore me Teheranit dhe fuqi të tjera botërore.

Prokurori Ali Alqasimehr tha se zoti Trump dhe më shumë se 30 të tjerë, të cilët Teherani i akuzon për përfshirje në sulmin e 3 janarit ku u vra gjenerali Qassem Soleimani përballen me “akuza për vrasje e terrorizëm”, njoftoi agjensia shtetërore e lajmeve IRNA. Ali Alqasimehr nuk i bëri të ditur emrat e asnjë prej personave të tjerë ndaj të cilëve janë ngritur akuza përveç zotit Trump, por theksoi se Irani do të vazhdojë të kërkojë ndjekjen penale të tij edhe pasi të largohet nga Shtëpia a Bardhë.

Interpol, me qendër në Lion të Francës nuk i është përgjigjur ende një kërkese për koment. Ali Alqasimehr citohet të ketë thënë gjithashtu se Irani kërkoi që të vendoset një “njoftim në ngjyrë të kuqe” për zotin Trump dhe personat e tjerë të akuzuar, që përfaqëson një kërkesë të nivelit më të lartë që lëshohet nga Interpoli.

Autoritetet lokale i kryejnë arrestimet në emër të vendit që e kërkon atë. Por njoftimi nuk mund t’i detyrojë vendet të arrestojnë ose ekstradojnë të dyshuarit, por mund t’i vendosin drejtuesit e qeverive në një situatë të vështirë si dhe të kufizojnë udhëtimet e të dyshuarve.

Pas marrjes së një kërkese Interpoli diskuton nëse duhet apo jo ta ndajë informacionin me vendet anëtare të tij. Interpolit nuk i kërkohet ta bëjë ose jo publike një njoftim, megjithëse disa publikohen në faqen e tij të internetit.

Nuk ka të ngjarë që Interpoli të pranojë kërkesën e Iranit pasi udhëzimet për njoftime e ndalojnë atë të “ndërmarrë veprime për të ndërhyrë të një natyre politike”.

Gjenarali Qassem Soleimani u vra gjatë një sulmi amerikan me dron në muajin janarit pranë aeroportit ndërkombëtar të Bagdadit (Irak). Ngjarja ndodhi pas disa muajsh incidentesh që kishin rritur tensionet mes dy vendeve. Irani u hakmorr duke goditur me raketa balistike trupat amerikane në Irak.