Irani dhe Turqia e dënojnë ashpër vrasjen e liderit të Hamasit

Irani dhe Turqia sot e dënuan vrasjen e liderit të Hamasit në Gaza, Ismail Haniyeh, duke e quajtur atë një vrasje politike të papranueshme që mund të zgjeronte luftën në nivel rajonal.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Nasser Kanaani, deklaroi se ‘gjakderdhja (e liderit të vrarë të Hamasit) nuk është derdhur kot’.

‘Martirizimi i Ismail Haniyeh në Teheran do të forcojë vetëm lidhjet e thella dhe të pandashme të Teheranit, Palestinës dhe rezistencës’, tha Kanaani.

Turqia e dënoi vrasjen e Haniyeh, i cili ishte i afërt me presidentin Rexhep Tajip Erdogan, sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme.

‘Ne e dënojmë vrasjen e kreut të zyrës politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, në një akt të neveritshëm në Teheran,’ shkruan Ministria, duke e vlerësuar se ‘ky sulm gjithashtu ka për qëllim të zgjeronte luftën në Gaza në një dimension rajonal’.

Ministria turke gjithashtu njoftoi se sulmi tregon se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk ka ndonjë qëllim për të arritur paqe.

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas e ka dënuar ashpër vrasjen. Fraksionet palestineze kanë bërë thirrje për grevë të përgjithshme dhe protesta masive pas vrasjes së Haniyeh.

Lideri i Hamasit, Ismail Haniyeh, është vrarë sot në Iran, njoftuan në deklarata të ndara grupi militant palestinez Hamas dhe Garda Revolucionare elitare iraniane.