iPhone i ri me karikues të ri: Apple-i i përshtatet rregullave të BE-së

iPhone-i i fundit i Apple-it me siguri do të ketë një pikë ngarkimi USB-C kur të zbulohet më 12 shtator.

Aktualisht, telefonat e firmës përdorin përshtatësin e Lightning, ndryshe nga rivalët, përfshirë Samsung-un.

Ligji i Bashkimit Evropian kërkon që prodhuesit e telefonave të miratojnë një lidhje të përbashkët karikimi deri në dhjetor të vitit 2024 për të kursyer paratë e konsumatorëve dhe për të ulur emetimet.

Shumica e produkteve të reja të Apple-it, si iPad-ët e fundit tashmë përdorin USB-C, por firma ka argumentuar më herët kundër rregullave të BE-së.

Kur u prezantua në shtator 2021, një përfaqësues i Apple-it ka thënë asokohe se “rregullorja e rreptë që detyron vetëm një lloj lidhësi mbyt inovacionin në vend që ta inkurajojë atë”.

Çka, sipas tij, do të dëmtojë konsumatorët në Evropë dhe në mbarë botën

Përshtatësit Lightning në USB-C janë tashmë të disponueshëm nga markat e tjera të elektronikës, përfshirë Amazon, dhe për të gjithë iPhone-t.

Sakaq, i fundit iPhone 14 duket se do të jetë pajisja e fundit Apple që e përdor ekskluzivisht atë.

Dhe mund të shënojë fillimin e fundit të Lightning.

Ndërkaq, mbetet e paqartë nëse ky do të jetë një ndryshim global i produktit, megjithëse gjigandi i teknologjisë ka më pak gjasa të bëjë një version të ndryshëm vetëm për tregun evropian.

Ndryshimet parashikohen në pajisjet e reja iPhone 15 dhe iPhone 15 Pro që do të zbulohen javën e ardhshme në ngjarjen vjetore të firmës.

Ndërkohë, rregulli i karikuesit të përbashkët të BE-së përfshin telefonat, tabletat, tastierat, kufjet, pajisjet GPS, konsolat e videolojërave apo altoparlantët portativë.

Secila prej tyre e ngarkuar duke përdorur një kabllo do të duhet të ketë një portë USB Type-C, pavarësisht se kush i prodhon pajisjet.

Po ashtu edhe laptopët do të duhet të respektojnë rregullat, por prodhuesit kanë më shumë kohë për të bërë ndryshimet.