Intervistimi për të cilin s’e dinte askush: Rexhep Selimi ishte marrë dy herë në pyetje nga Gjykata Speciale


Avokati i Rexhep Selimit, David Young, ka dorëzuar në Dhomat e Apelit të Speciales ankesën e tij ndaj vendimit të Gjyqtarit të procedurës paraprake i cili ua refuzoi kërkesën për lirim të gjithë krerëve të UÇK-së që po gjykohen aktualisht në Hagë. Ankesë kanë dorëzuar edhe mbrojtësit e të akuzuarve tjerë në këtë rast, ai i Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Jakup Krasniqit.

Në parashtresat e tij, Young ka zbuluar disa detaje të cilat nuk janë ditur më herët, e të cilat kanë të bëjnë me intervistimin e Rexhep Selimit në Hagë.

Selimi në nëntor të vitit 2019 njoftonte se kishte marrë ftesë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit. Selimi aso kohe konfirmonte se intervista do të zhvillohej gjatë asaj jave. Njoftimin për ftesën që i kishte ardhur, “10-shi” i UÇK-së e jepte më 10 nëntor të vitit 2019.
Por, përveç në nëntor, Rexhep Selimi ishte intervistuar edhe njëherë pas tre muajve, konkretisht në shkurt të vitit që lamë pas.

Në parashtresat e tij, avokati Young thekson se të dy këto intervista të Rexhep Selimit ishin “të zgjeruara”.

“Ata nuk janë asgjë më shumë se faktorë të përgjithshëm kontekstualë të cilët nuk kanë të bëjnë posaçërisht me Z. Selimi. Nuk ka gjithashtu ndonjë arsyetim specifik se si ky informacion ndikon në nxitjen e Z. Selimi për të ikur, veçanërisht në dritën e faktit se ai nuk ndërmori aspak hapa për të bërë kështu që pavarësisht intervistave të tij të gjera nga ZPS në nëntor 2019 dhe shkurt 2020, gjë që ia tregoi qartë natyrën dhe qëllimin e akuzave kundër tij”, thuhet në parashtresat e avokatit Young.

Për intervistimin apo kohëzgjatjen e marrjes në pyetje të Rexhep Selimit ishte ditur shumë pak, mirëpo se ai ishte intervistuar edhe në shkurt nuk kishte informacione. Selimi bashkë me krerët e tjerë të UÇK-së po përballet me 10 akuza për kri*me luf*te. Gjykatësi i procedurës paraprake ua ka refuzuar kërkesën e parë për lirim të përkohshëm nga paraburgimi, mirëpo që e njëjta kërkesë ka përfunduar në Dhomat e Posaçme të Apelit. Kjo e fundit ka caktuar tre gjyqtarë të cilat tanimë e kanë në dorë rastin.