Lëvizjet e mëdha demografike dhe emigracioni kanë sjellë me vete edhe probleme të mëdha sociale. Ndër to edhe ulja e numrit të meshkujve për martesë dhe si rrjedhojë edhe ulja e numrit të këtyre të fundit, ndërsa shtohet numri i vajzave në moshë, të pamartuara.
Artan Fuga-Martesat-vajzat-shqiptare-burrat-serb-Panorama
Sipas studiueses Olta Murataj, një fenomen i kundërt ndodhte në fshatrat e Serbisë, ku vajzat largoheshin drejt qyteteve, ndërsa meshkujt mbeteshin pa martuar. Kjo ka sjellë krijimin e një “tregu” të ri martesor. Vajza shqiptare martohen me burra serbë, herë-herë pa ditur se ku po shkojnë. Akademiku, prof. dr. Artan Fuga ka realizuar një intervistë me studiuesen, e cila rrëfen këtë realitet të ri. Si lidhen martesat, cilët janë mblesët, çfarë jete bëjnë në fshatrat ku shkojnë, ç’ndodh me gjuhën dhe besimin e tyre fetar?
Prof. dr akademik Artan Fuga: Cilat janë marrëdhëniet e kësaj familje me Shqipërinë (a ndjekin TV shqiptare, mediat apo librat, abetaret, muzikën)? Marrëdhëniet e gruas me familjen e mbetur në Shqipëri dhe sa shpesh e vizitonin familjen? Ti vetë, si i ke ndjerë këto gra, e kishin humbur theksin, kishin humbur identitetin psikologjik, etnologjik shqiptar?
Në familjet e tyre, televizori fliste vetëm serbisht, diçka në gjuhën shqipe mund të vinte vetëm nga telefoni i këtyre grave (biseda me familjarët shqiptarë apo muzikë nga interneti). Zhvillimet në lidhje me Shqipërinë familja i merrte nga edicionet informative ose nga bisedat telefonike të grave me familjarët e tyre. Këto gra shpreheshin se marrëdhëniet me familjarët e tyre ishin shumë të mira dhe se ato vizitonin familjen e tyre një deri në dy herë në vit. Tri vitet e para të martesës, ato vizitonin dy deri në tri herë në vit familjen, por, me lindjen e fëmijëve dhe rritjen e kostos së lëvizjes tanimë ato lëviznin sipas mundësive që kishin, një herë në vit, por kishte raste që edhe një herë në dy vite. Unë këto gra i kam ndjerë shumë të përmalluara për vendin e tyre.
Ato kishin etje të flisnin shqip, kishin nevojë të hapnin shpirtin te dikush që do t’i kuptonte pa i gjykuar për zgjedhjen që kishin bërë. Aspak nuk e kishin humbur theksin, aspak nuk kishin humbur identitetin psikologjik, madje kujtonin me shumë dashuri kohën në Shqipëri, edhe pse jeta e tyre kishte qenë me shumë vështirësi. Në momentin që përfundonim bisedën (intervistën), kur më përcillnin më pyesnin, “A do vish prapë?”. Në familjet e tyre, cila kulturë dominonte, kultura serbe apo kultura shqiptare? Si visheshin këto gra, si e kuronin veten, si e prezantonin trupin e tyre, ishin më shumë bujkesha apo amvisa në pamjen e tyre?
Nga rrëfimet e grave, kuptohet se dominuese është kultura serbe, por edhe gruaja shqiptare, për aq sa dëshiron, gjen hapësirë brenda familjes e arrin ta shprehë ndikimin e saj kulturor. Sipas këtyre grave, qysh në ditët e para të martesës (zakonisht dhjetë ditët e para) vajzave u vinë në ndihmë familjarët e burrit (motra ose nëna e tij) ose ndonjë vajzë shqiptare e martuar në Serbi, që e ndihmojnë/mësojnë nusen e re si të bëjë kafetë, si t’i shërbejë dhe si të thotë “të bëftë mirë” në serbisht. Që në ditët e para, ajo duhet të hyjë në procesin e mësimit të zakoneve, adeteve, riteve fetare, ushqimit dhe gatimit sipas kulturës dhe kuzhinës serbe. Tipari më dominues te pjesa më e madhe e këtyre grave ishte pastërtia. Pjesën më të madhe të këtyre grave i kam takuar brenda ambientit të shtëpisë, ku ato kishin pamjen e një amvise të rregullt dhe të veshura pastër. Kam pasur raste, me të cilat jam takuar më shumë se dy herë brenda dhe jashtë ambientit të shtëpisë, dhe kam parë se ishin të kuruara bukur, me makijazh të lehtë dhe rroba të bukura. Edhe pse jetesën e bënin në fshat, edhe pse pjesë e punëve të tyre ishin edhe punët bujqësore, dëshira për t’u kujdesur për veten, për t’u veshur dhe dukur bukur ishte një tipar që binte në sy thuajse te të gjitha.
Këto janë martesa të realizuara me mblesëri? A ka qenë kjo një mblesëri e dhunshme apo e suksesshme? A ka paraja rol në këtë mes? Ku e kanë bërë martesën? Cila është marrëdhënia e tyre? A ke konstatuar akte dhune? A mendon ti se këto gra ishin të lumtura atje apo jo?
Nga informacionet e përftuara nga studimi në terren, kam kuptuar se këto martesa kanë filluar në vitin 2006 dhe deri në vitin 2018 kanë qenë në vazhdimësi, më tej nuk jam në dijeni si mund të kenë vazhduar. Kuptohet se ka qenë një grua, e cila i ka nisur martesat shqiptaro-serbe, dhe paçka dëshirës dhe tentativës sime për ta takuar, me qëllim krijimin e një mendimi sesi ka lindur ideja te kjo grua për fillimin e martesave të tilla, ka qenë e pamundur. Por, nuk është e vetmja që ka bërë ndërmjetësime të martesave të tilla, pasi ndër vite shumë persona janë bërë pjesë e bashkimeve martesore shqiptaro-serbe. Nga të dhënat e nxjerra prej rrëfimeve të pjesëmarrësve në studim, i kam ndarë në katër grupe të ndryshme ndërmjetësit (shkuesit) që janë bërë shkak të lidhjeve martesore të këtyre çifteve, duke dhënë për secilin ndërmjetës, mënyrën sesi ka vepruar. Martesat e para i ka nisur ndërmjetësuese “V.” (për të ruajtur identitetin e saj e kam paraqitur me inicial), e cila ka bërë shumë martesa të tilla (numri i saktë nuk dihet), e me të cilën fillon historia e martesave shqiptare-serbe. Sipas rrëfimeve të grave që martesat e tyre janë ndërmjetësuar nga “V.”, kam arritur të kuptoj se kjo ndërmjetësuese në shumë raste ka fshehur të vërtetën për origjinën e burrit kandidat dhe vendin ku do jetojnë (shpesh duke u thënë se burri është malazez dhe se do jetojnë në Tuz ose Podgoricë), për kushtet e jetesës, për cilësitë e burrit kandidat, për familjarët e bashkëshortit që do jetojnë me të, për tokën dhe bagëtinë që do kenë. Kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së komunikimit të të dyja palëve mes tyre dhe ndërmjetësuesja ka kryer edhe rolin e shkuesit, por edhe të përkthyesit duke e sajuar situatën sipas përfitimeve të saj.
Organizata Humanitare Stara Rashka (Stara Raska), e themeluar në vitin 2000 nga z. Vojin Vuçiçeviç (Vojin Vuçiçeviç) me qendër në Beograd, krahas aktiviteteve humanitare që zhvillonte në Serbi, fillon bashkëpunimin me agjencinë martesore “Maruel 2008 & Co”, të themeluar në vitin 2008 në Shkodër nga z. G. GJ. Ky bashkëpunim i organizuar mirë për nga mënyra sesi gjenden kandidatët në të dyja anët e kufirit, si takohen, si kryhen të gjithë hapat nga momenti i parë deri në kohën kur vajzat shqiptare hyjnë nuse në familjen serbe, ka sjellë krijimin e shumë çifteve shqiptaro-serbe. Sipas organizatorëve, me të cilët jam takuar disa herë, kanë deklaruar se agjencia e tyre martesore ka kryer mbi 500 martesa mes grave shqiptare dhe burrave serbë. Me bisedat që kam pasur me z. Vuçiçeviç, ai është shprehur se ky bashkëpunim me agjencinë martesore nga ana shqiptare nuk ka ardhur si një interes në përfitim të organizatës së tyre, por është parë si një program me interes kombëtar që t’u shërbente zonave rurale të Serbisë, të cilat janë drejt shpopullimit. Sipas tij: “Shumë fshatra në Serbi janë duke u shkretuar. Në fshatin Peshter (Pešter) shkollat u mbyllën në mungesë të fëmijëve dhe pas zhvillimit të këtyre martesave, disa vite më vonë, shkollat u rihapën sërish. Por, ky nuk është i vetmi fshat që ka ndodhur kështu, edhe fshatra të tjerë në Serbinë Jugperëndimore janë ndikuar pozitivisht nga këto martesa”. Martesat e bëra nga ky bashkëpunim ndryshojnë nga martesat e bëra nga ndërmjetësuese “V”., sepse grave u është treguar e vërteta mbi vendin ku do jetojnë, origjinën e burrit kandidat, dhe kushtet e jetesës.
Në grupin e tretë kam klasifikuar “martesat nga të njohurit dhe zinxhirë”. Këto janë martesa ku ndërmjetësuesi është një person i afërt/i njohur për familjen e vajzës ose për vetë vajzën, që mund të jetë një komshi, kushëri, motër, vëlla, shoqe, kumbari i shtëpisë ose vetë gratë e martuara atje, të cilat kanë tërhequr njëra-tjetrën. Rrëfimet e grave të klasifikuara në këtë grup mbajnë një ngarkesë të madhe emocionale.
Në grupin e katërt: “ndërmjetës të ndryshëm”. Sa më shumë raste që takon, aq më shumë fillojnë të ndryshojnë emrat e ndërmjetësuesve. Në një fshat, thuajse të gjitha martesat ishin ndërmjetësuar nga një person i vetëm, që në studim, për të ruajtur identitetin e tij, kam përdorur për të emrin “Paul”. Këta janë mekanizmat që kam mundur të identifikoj si mënyra të përdorura për ndërtimin e urës lidhëse mes çifteve shqiptaroserbe. Në pamundësi për t’u zgjatur më shumë, detajet sesi veprohej, të shoqëruara së bashku me rrëfimet e pjesëmarrësve jepen në studimin tim.
Paraja.. është folur shumë për paranë kur flitet për këto martesa. Ky ka qenë ndër interesat e mia të veçanta gjatë kohës në terren. Nga rrëfimet e burrave serbë, ata tregojnë se e kanë paguar me shuma të caktuar parash ndërmjetësuesin për punën që u ka bërë. Sipas tyre, këto para ndërmjetësi i justifikon me harxhimet që bën duke lëvizur për të gjetur nusen kandidate, me përgatitjen e dokumenteve martesore nëse arrihet dakordësia dhe me një shpërblim që mund t’i takojë për lodhjen. Familjet e grave shqiptare nuk marrin asnjë para, përveçse rasteve kur bëhet fejesë dhe kandidati për burrë le një shumë parash në tabakanë e kafes. Pjesa më e madhe e çifteve kanë bërë dy dasma, familja e vajzës ka bërë dasmë sipas traditave shqiptare në Shqipëri dhe familja e djalit sipas traditave të tyre në Serbi.
Në pyetësorin e studimit tim, një ndër pyetjet ishte: “Po të ktheheshit dhe një herë pas, a do e bëje sërish të njëjtën martesë, dhe pse?”. Të gjithë burrat shpreheshin se, po të ktheheshin pas në kohë do të zgjidhnin të bënin sërish të njëjtën martesë, ndërsa gratë, pjesa më e madhe e tyre, shpreheshin se nuk do ta zgjidhnin sërish këtë martesë, përveç një grupi të vogël, që do ta kishin pranuar sërish. Kjo përgjigje e tyre nuk mat shkallën e lumturisë dhe as nuk tregon pakënaqësi, por nxjerr në pah vështirësitë që u është dashur këtyre grave të kalojnë për të pasur familjen që kanë. Nuk marr përsipër të them ishin të lumtura apo jo, por mund të them se pjesa më e madhe e tyre dukeshin të kënaqura me jetën që kishin arritur të ndërtonin.
Sa ndikon kuadri i përgjithshëm i marrëdhënieve të dy shteteve dhe historia në jetën e tyre të përditshme në integrimin në fshat apo komunën ku jetojnë? Sipas këtyre grave dhe sipas teje, dy qytetërimet a kanë përputhshmëri? A mund të bashkëjetojnë brenda një mjedisi familjar mikro këto dy qytetërime? Mendoj se këto dy qytetërime në nivel familjar ia kanë dalë të bashkëjetojnë dhe të ndërtojnë me shumë durim dhe sakrificë të gjitha urat që i ndajnë, qoftë gjuhësore, kulturore apo fetare. Pjesëmarrësit burra shprehen të bindur se në vendin ku ata jetojnë nuk do të kishin gjetur një grua që do donte të bënte disa fëmijë apo që do pranonte të jetonte në fshat dhe me familjarët e tyre.
Unë kam shkëputur rrëfimet e dy pjesëmarrësve burra, të cilët tregojnë sa shumë janë plotësuar pritshmëritë e tyre në këtë martesë dhe funksionimi i bashkëjetesës së tyre: Unë e kisha humb atë shpresën për me pas fmi e sot kam dy djem, me nusen kuptohem, çfarë mund të doja më mirë. Punojmë gjithçka bashkë, jetojmë normalisht, dhe jam i sigurt se ktu [i referohet Serbisë] nuk kisha gjet një grua si kjo (Pjesëmarrës, burrë 1). Nuk e kisha besu asnjëherë që ajo kishte me më rrespektu kaq shumë prindërit e mi, kjo asht kan jasht çdo pritshmërie, jasht çdo mendimi timin, aq sa nana e baba jem e dun ma shumë atë sesa mu. Kuptohemi mirë për çdo gjë (Pjesëmarrës, burrë 2).
Në nivel jetësor jashtë familjes, marrëdhëniet mes dy shteteve shpesh mund të ndikojnë jetën e tyre. Por, një arsye që këto çifte mund të mos e ndiejnë shumë është se gratë shqiptare nuk punojnë jashtë shtëpisë, pra, ndërveprimi në marrëdhënie punë më shoqërinë nuk ekziston. Nga pjesëmarrëset gra, njëra ishte në marrëdhënie pune dhe tregon një situatë të ndodhur vite më parë me kolegen e saj serbe në vendin ku punonte. Ngjarja që rrëfen është e lidhur me ndeshjen e futbollit Serbi – Shqipëri të luajtur në Beograd, ndeshje që u ndërpre në pjesën e parë dhe që krijoi një atmosferë tensioni mes dy shteteve. Ajo çfarë ndodhi në fushën e futbollit u pasqyrua të nesërmen në vendin e punës ku kjo grua punonte:
Atje n’Shqipni janë gati krejt kundra Serbve. A din kur asht ba ndeshja, unë kam shku n’punë dhe at dit s’ka pas uj n’fabrik. Mu m’kishte marr etja, shkoj i them një puntorje më jep do ujë. Me ktë grun shkoj shumë mire, se di si ma bani ktë. Më thot “jo nuk të jap uje se ju qitni do flamuj nëpër televizjon”. “Po ç’faj kam unë se ça kan ba ata”, – i thashë, “unë jam ktu e ata atje”. Nuk më ka dhan ujë, kam shku jam ul në vend. Ka ardh nji punojse tjetër edhe m’ka pyt a ta dha ujt, “jo” – i thashë, dhe i thashë arsyjen pse nuk më dha. Ka shku ajo vet edhe ma ka pru ujin. Nuk do me than prej ka je, po do me than si je ti si njeri (Pjesëmarrëse, grua 1).
Po ashtu, një tjetër sferë ku përçohet marrëdhënia mes shteteve, ata paraqesin shkollën e fëmijëve. Disa raste tregojnë se fëmijët serbë u drejtohen fëmijëve të tyre me termin “albanezë”, me ngjyresë negative, siç e ka treguar dhe kjo pjesëmarrëse grua:
Nuk i kan fort me qef [i referohet shoqërisë serbe për martesat e tyre]… dmth burri jem dhe njerzt e tij i shohin mirë, por shoqëria nuk i sheh shumë mirë. Fmive ju thonë “albanez” te shkolla, e kan atë synin e keq (Pjesëmarrëse, grua 2). Pavarësisht largësisë që këto dy qytetërime kanë në kulturë nga njëri-tjetri, të kaluarën historike dhe krisjeve që sjellin herë pas here marrëdhëniet politike, individët rendin pas ndërtimit të jetëve të tyre. Ky pjesëmarrës burrë, shpreh kënaqësinë nga martesa që ka bërë, dëshirën e burrave serb për martesa të ngjashme dhe pendesën e mikut të tij:
Në fillim, njerëzit kanë qenë paragjykues ndaj këtyre martesave dhe nuk pranonin të kërkonin nuse atje [Shqipëri], kurse sot të gjithë do donin. Ka shumë djem këtu që duan të martohen më vajzat shqiptare. Kam një shokun tim, i cili ka shtëpi edhe këtu [në fshat] edhe në qytet, por jeton vetëm. Në fund të fundit kot, çfarë i duhen shtëpitë. Ai është penduar dhe më thotë “pse s’jam martuar edhe unë si ty [me nuse shqiptare]” (Pjesëmarrës, burrë 3) Këtu [në fshatin ku jetonte] mendojnë pozitivisht për këto martesa, se po të mos martoheshim, ne do të ishim të gjithë beqarë pa familje, pa fmi dhe duke jetuar vetëm, kështu kemi krijuar familje e jemi bërë me fëmijë (Pjesëmarrës, burrë 4).
Si mendon ti, ky është një proces periferik i natyrshëm, apo mund të jetë një shenjë që në hapje të dy shoqërive vjen njëfarë bashkëjetese që tregon se ka mundësi bashkëpunimi ekonomik mes tyre apo njerëzit individualë munden, por i pengon opinioni. Midis tyre a ka paragjykime që i pengojnë të bashkëjetojnë?
Për shkak të hapjes së dy shoqërive, mendoj se, fillimisht, ky ka nisur si një proces periferik i natyrshëm, duke imituar ato mekanizma që janë përdorur në lidhjet e martesave tradicionale të të dyja shoqërive respektive, siç është përdorimi i shkuesit (mblesit). Shkuesi, në këto martesa, mundohet të qëndrojë brenda kujtesës tradicionale, por, vjen si një shkues i moderuar dhe me pretendime përfituese. Ky proces periferik, shohim se, fillon të pranojë “shkuesin modern” dhe pretendimet e tij për hir të arritjes së qëllimeve që individët kanë për krijimin e familjes dhe madje të tejkalojë sfondin historik të mbushur me konflikte dhe gjuhë urrejtjeje mes dy shteteve. Nga një proces periferik, i mbyllur, pak i njohur, kthehet në një fenomen, ku individët kryesorë duan të përfitojnë duke kapur mundësitë e pamundura për ndërtimin e një familje, aktorët që shtyjnë duan të përmbushin interesat e tyre.
A janë hasur këta individë në paragjykime, patjetër që po. Paragjykimet i kanë jetuar në mënyrë të dyfishtë, gratë kanë jetuar paragjykimin e shoqërisë shqiptare për martesën në Serbi, e pas martese paragjykime në shoqërinë serbe që një grua shqiptare pranon të martohet atje?
Sipas rrëfimeve të grave, në Serbi, në momentin që prezantohesh si shqiptare, ka një reagim habie sesi një shqiptare ka pranuar të martohet në Serbi. Sidomos martesat e para kanë hasur shumë paragjykime, por me kalimin e viteve, kur fshati është mbushur me nuse nga Shqipëria dhe shoqëria, ka parë funksionimin e tyre, kanë filluar të pranohen. Kjo pjesëmarrëse tregon ditët e para të martesës, kur nuk kishte filluar akoma të mësonte gjuhën dhe mendonte se bashkë me bashkëshortin po shkonin në një dasmë, por kohë më vonë kishte mësuar se kishin marrë pjesë në një festë. Shokimi nga mungesa e komunikimit, reagimit të njerëzve karshi nuses së ardhur nga Shqipëria ndihet qartë në rrëfimin e sajë:
Isha tu shku nje here ne nje festival, “sabor” i thon kta. Kishin ardh do muzikanta, unë mendosha se ish dasem e nuse nuk pajsha. Kta m’cun mu atje demek me pa mileti nusen. Te tan me sy n’mu tu than “O Shqiptarja, o Shqiptarja” thu se ka ra ujku midis qytetit. {Te shihnin me sy të keq se ishe shqiptare?} – Po, Allah, Allah, ça kam pa, kur e kujtoj tash bash gazep m’kap (Pjesëmarrëse, grua 3).
Një tjetër pjesëmarrëse (e cila kishte mbi 10 vite martesë) thotë se, nga familjarët e bashkëshortit nuk kishte ndjerë paragjykim, por nga shoqëria vazhdonin akoma ta etiketonin si “shqiptarja”, gjë me të cilën ishte mësuar: Nga familjaret jo, ama nga njerzit e tjerë po “eee Albanka” thonë. Kur e thonë nuk e di a ndjem mire apo keq, se shum vite kan kalu dhe sikur jena msu (Pjesëmarrëse, grua 4).
Por, paragjykimet nuk kanë qenë vetëm nga shoqëria serbe, shoqëria shqiptare është treguar shumë e ashpër me këto gra duke i paragjykuar, kritikuar, ofenduar, e deri duke e sjellë martesën e tyre në nivel “tradhtie”, që i është bërë vendit tonë. Kjo pjesëmarrëse tregon paragjykimet e jetuara nga shoqëria e sajë: Unë nuk i kam dëgju se ça thot kush se jom kan e lumtun. Nëse ka than kush “asht martu n’Serbi”, mue s’më ka interesue. {Çfarë mendo se kanë thënë për ty?} – Po, kan fol. Kan than n’Shqipni “Kjo e mori Serbin”, kan than “Aaa si e mori ajo”, e dikush m’ka than edhe “ti e tradhtove atdhen” (Pjesëmarrëse, grua 5).
Një tjetër grua tregon eksperiencën e saj gjatë rrugës me autobus nga Serbia për në Shqipëri ku një tjetër grua shqiptare, nisur nga çfarë ka parë e dëgjuar dhe imazhi i serbit i krijuar në mendjen e saj bën këtë pyetje: Nje herë jam kan ka shkoj te familja më ka than një grue “si ke pas besimin dhe ke shku në Serbi. Si nuk ke pas frikë se ka me t’pre Serbi”. Unë veç e pash e nuk i thash gja. Unë per veti nuk kam pas frikë, as kurrgja (Pjesëmarrëse, grua 6)
Kjo grua është ndër ato që ka ditur vendin ku po martohet dhe aq më tepër imazhin që mbart në Shqipëri njeriu, me të cilin po martohet. Ajo vetë tregon se ka pasur paragjykime ndaj popullit serb, paragjykime të ndërtuara nga çfarë ka histori të dëgjuara dhe informacioni nga televizori. Por, pas martesës atje, ka gjetur një situatë krejt ndryshe, njerëzit e kanë afruar dhe ndihmuar, i kanë ofruar miqësi, çfarë e ka bërë të ndihet e sigurt dhe të ndryshojnë mendimet e hershme:
Politika asht tjetër gja se njerzit njani me tjetrin janë më ndryshe. Edhe unë kam pas paragjykime kur kena pa tmerre e tmerre në televizor, por kur kam ardh ktu, asht një situatë krejt tjetër, njerzit jan shum t’afërt, situatë krejt tjetër të betohem. {Mendo se njerzit në Shqipëri paragjykojnë} – Po, po, paragjykojnë, asht vetvetiu, hala s’ka kalu ajo urrejtja (Pjesëmarrëse, grua 7).
Nga këta pak zëra prej terrenit (në pamundësi për të paraqitur çdo gjë me citime) u mundova të sjell një pamje nga të dyja shoqëritë dhe vihet re se paragjykimet nga ana e shoqërisë shqiptare janë më të rënda, deri dhe duke i prekur moralisht këto gra, ndërsa ana serbe vjen më e butë. Brenda studimit jam munduar ta trajtoj shkurtimisht këtë pjesë duke u nisur nga fakti se shoqëria serbe është ajo që merr, ndërsa shoqëria shqiptare jep “vajzën”. Pra, është gruaja që largohet nga grupi i origjinës duke shkaktuar acarim brenda pjesëtarëve të grupit dhe afrimitet me pjesëtarët e grupit ku shkon. Ky afrimitet mund të shkelë tabunë seksuale të shoqërisë që jep duke sjellë edhe reagime acaruese. Lidhur me pyetjen, opinioni është shumë paragjykues, por njerëzit individualë munden dhe unë mendoj se këto çifte ia kanë dalë të ndërtojnë një martesë sipas normave të një martese dhe familjeje normale.
Ku e ke bërë ti këtë doktoraturë? Kush të ka drejtuar? E ke përkthyer në shqip apo do ta botosh? Nga je ti vetë? Çfarë je duke bërë tani? Departamenti i Sociologjisë, në Ankara, Turqi. Në procesin e doktoratës më ka udhëhequr assoc. prof. dr. Abdulkerim Sönmez, i cili ka përfunduar shkollën doktorale në Universitetin e Durham-it në Angli. Nuk e kam përkthyer në shqip doktoraturën time, por, së shpejti do të botoj libër në gjuhën shqipe, me qëllim që çdo gjë që këtu vetëm u prek dhe të tjera situata që nuk janë treguar këtu do të paraqiten më të detajuara në libër. Janë të pakta studimet e këtij lloji në Shqipëri, të cilat përdorin teknikat e narracionit, shpjegimin narrativ, përshkrimin, shpjegimin, kuptimin e mekanizmave kauzalë për të kuptuar sesi njerëzit bashkëveprojnë për të prodhuar një rezultat.
Origjina e familjes së babait është nga fshati Vuthaj i Malit të Zi, por të shpërngulur vite më parë në fshatin Çerem të Tropojës, kurse familjen e nënës i kam nga Tropoja. Kanë kaluar pak muaj nga përfundimi i shkollës doktorale dhe kthimit tim në Shqipëri. Dëshira ime është që rezultatet e kërkimit tim shkencor të mund t’i vë në dispozicion të sferës akademike në fushën e sociologjisë, në sociologjinë e familjes, sociologjinë kulturore, sociologjinë e roleve gjinore, analizë ndërkulturore të familjeve në Ballkan, martesat mes popujve me etnicitet dhe kultura të ndryshme.