Inspektorati detekton manipulimet me sasinë e bukës

Blejnë për kile e marrin më pak! Kështu shprehen qytetarët posa të dalin nga shitoret apo tregjet. Ata që blejnë në markete thonë se muajin e fundit kanë vërejtur ulje të sasisë në paketimet e produkteve ushqimore, madje edhe kur blejnë në treg nga stoqe masive, thonë se nuk marrin për aq sa paguajnë.

“Tregtarët bëjnë gjithçka vetëm të përfitojnë. Nuk duhet ashtu ta mashtrojnë popullin nëse është gjysmë kile e të më jep 400 gr ajo nuk bën. Le të vetëdijesohen, ne blejmë prej tyre – ata jetojnë prej neve”, tha një qytetar.
“Është fakt që çdo ditë rriten çmimet, e tmerrshme çdo ditë çmime tjera të produkteve bazë si buka, qumështi e kështu me radhë që janë ushqimet themelore të përditshmërisë”, u shpreh një qytetar tjetër.

“Po te sheqeri, te vaji është ulur sasia nga një litër në 900ml njësoj sheqeri nga 1kg në 900gr. Nuk është në rregull se çmimet janë ngritur shumë si për djathin, kaçkavallin, qumështin, buka gjithçka që duhet”, theksoi një qytetar tjetër.

Ankesat e qytetarëve kanë arritur edhe tek Inspektorati Shtetëror i Tregut, të cilët kanë detektuar parregullsi në disa pika të shitjes për sasinë e bukës krahas deklarimit me çmimin e shitjes. Drejtoresha e Inspektoratit tha se përveç produkteve të paketuara dhe të ambalazhuara kontrollet kanë filluar dhe nëpër tregje ku shitja bëhet nga stoqet me shumicë, ku ka dyshime për kurdisje të peshoreve.

“Kemi informacion nga terreni se inspektorët kanë konstatuar që një pjesë e bukës që shitej nuk ka pasur deklaracionin e duhur dhe janë marr masa, gjithashtu u ndërmorën masa për peshoren që nuk ka qenë si duhet e balancuar, që do procedohet sipas Ligjit të metrologjisë. Për sasinë e bukës që është gjetur e pa deklaruar si duhet iu është dhënë vërejtja sipas Ligjit për mbrojtje të konsumatorëve dhe po rrjedh afati”, pohoi Aneta Simeska Dimovska, Drejtoreshë e Inspektoratit shtetëror të tregut.

Detektime të tilla u bënë pas raportimit të Alsat, ku qytetarët janë prononcuar se ndjehen të mashtruar. Për manipulime të tilla të tregtarëve ligji parasheh gjoba deri 4 mijë euro për kompaninë dhe deri 1,200 euro për përgjegjësin e kompanisë për mashtrim. Por, deri më tani nuk ka gjoba të tilla të shqiptuara./ Alsat.mk