Shkruan: Emad Memedi
Protestonin për çdo ditë të ashtuquajturit “Tvrdokorni” në rrugët e Shkupit. Karakteristikë e këtyre protestave ishte se në to merrnin pjesë shumica e moshës së shtyrë. Ata trumbetonin se shteti i Maqedonisë rrezikohej në disa drejtime. Për shkak të moshës së protestuesve që bridhnin rrugëve të Shkupit, ata nuk llogaretishen të “rrezikshëm”. E derisa situata dukej e qetë dhe e kontrollusheme, ndërkohë “inskenuesit” në prapaskenë ishin vënë në punë. Megjithatë, puna e tyre e pistë nuk arriti qëllimet finale, por edhe pse kemi një pushtet i ri, “inskenusit” real mbetën të pazbuluar. Mirëpo, për këtë do flasim pak më vonë.
Puna e “inskenuesve” ishte se si të nxiteshte një masë me a madhe njerëzish për të qenë në gjendje gatishmërie, që kur të rrezikohej përfundimisht “marrja” e Maqedonisë nga faktorët imagjinarë, ata të aktivizoheshin. E për këtë duhej të shpikeshin broçkulla të ndryshme që mund t’i gëlltiste masa e paramenduar nga strategët që përgatisnin skenarin. Në njërën anë ata përzgjodhën Ziadin Selën që shfaqej si një nacionalist i pabërmbajtur shqiptar për çdo natë në mediat maqedonase, kurse në pamjen tjetër shfaqej Lëvizja BESA që do bënte Ridefinimin e shtetit, gjë që ata nuk do të duhej ta lejonin në asnjë mënyrë, qoftë edhe duke dhënë jetën, e këtu diku përmendej edhe “Platforma e Tiranës” dhe zgjedhja e mundshme e një Kryeparlamentari shqiptar. Në thelb këto çështje do duhej t’i takonin të kaluarës, por për fat të keq duket se karremi i nacionalizmit edhe këtë radhë funksionoj me shtytje politike nga mbrapa.
Pra po flasim për 27 Prillin kaotik në Kuvendin e Maqedonisë. Dita e 27 Prillit të vitit 2017 ngjante me ato parapraket kur para Kuvendit shfaqeshin disa protestues, e që kishin shpikur çështje imagjniare për të “nxehur” masën – që do mbronte në mënyrë të pa kompromis unitetin e shtetit. Megjithëkëtë, Zoran Zaev thoshte se Qeveria e re së shpejti do të formohej dhe se VMRO – DPMNE nuk kishte asnjë gjasë të formoj Qeverinë sërish. Edhe pse Nikolla Gruevski dhe Sasho Mijallkov ishin ende të fuqishëm politikisht dhe praktikisht, ndërkohë mbështetja popullore u kishte rënë drastikisht. Por, askush nuk e kishte paramenduar se deri ku mund të arrinte ndikimi i tyre. Askush pra në ditën e 27 Prillit nuk e kishte të njohur se nata e kësaj date çfarë gjëme do të sillte, përpos mbase kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili atë ditë nuk mori pjesë në Kuvend, në përzgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, që vinte nga partia e tij. Ndoshta, atë ditë kishte zgjedhur bjeshkët e Kërçovës për një relaks, derisa Kuvendi po përgjakej.
Përnjëherë protestuesit u sulën drejt Kuvendit, opinioni u tmerrua. Familjarët e deputetëve dhe aktivistët e flaktë partiak po rrënqetheshin me atë çka po shihnin. Mbase, mendonin në vete se si u bë që protestuesit e shtyrë në moshë të kenë gjetur forcën e “të rinjve”, dhe prej nga atë guxim për të sulmuar Kuvendin? Kjo, nuk ishte e kuptueshme sepse mjegulla e 27 Prillit sapo kishte filluar të zmadhohet, me hapjen e dyerve të Kuvendit. Ndër të parët që u pa nga pamjet e kamerave që futet brenda në Kuvend ishte djali i Sasho Mijallkovit, Jordani. Mbase, edhe ai mund të jetë gjetur “rastësisht” aty, ashtu sikurse lideri i BDI-së, Ahmeti, i cili “rastësisht” nuk ishte ndodhur në Kuvend, e që në tollovi deklaratash herë thoshte se nuk e kishte ditur se ç’do ndodhte, e herë se ishte vlerësuar se kishte qenë rrezik ai të merrte pjesë në Kuvend atë ditë.
Me të hyrë në Kuvend – protestuesit kërkonin “gjakun” e destabilizimit të vendit. Ata sulmuan më ashpër e mizorisht prej të gjithëve, kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Selën, si dhe kryetarin e LSDM-së, Zoran Zaev. Ndërkohë, derisa rraheshin egërsisht këta dy – disa kolegë të tyre kishin përzgjedhur të qeshnin duke mos ndërmarrë asnjë hap ndihmese njerëzore. E disa të tjerë, kishin komunikar përmes SMS-ëve me Trajko Veljanovskin, atë kohë Kryetar Kuvendi, siç është Vesel Memedi, gjë kjo që u raportua në media. Më pas, të gjithë e dimë se çfarë ndodhi e si, por për fatin e mirë “inskenuesit” e kësaj ngjarje shokuese nuk i arritën qëllimet e tyre deri në fund. Ndërsa, arritja e qëllimeve do të thoshte Maqedonia të futej në një gjendje tmerrësisht destablizuese.
Tashmë Prokuroria Publike ka konfirmuar edhe njëherë paditë penale për 30-të të akuzuar për dhunën e 27 prilit në Kuvend, një deputetë lirohet nga akuza, ndërkohë që 4 persona edhe më tej mbeten të pakapshëm për organet e akuzës. Megjithatë, edhe sot pas një viti, pas ngjarjes së 27 Prillit, ne ende nuk i dimë saktësisht se kush e “inskenoi” tërë atë akt barbar, kush e dirigjoi, dhe çfarë kërkohej të ndodhë tutje, por shumëçka mbetet në kuadër të spekulimeve.
Aktualisht vazhdojnë të ndërtohen teori konspirative me shërbime sekrete të përziera me politik për ngarjen e 27 Prillit, por Prokuroria e Gjykata ende nuk po e heq qartësisht “mjegullën” e 27 Prillit në Kuvend, mbase e ndikuar nga politika. Derisa mjegulla e 27 Prillit vazhdon të nxihet edhe më tepër, opinioni shtron pyetje: deri kur në Maqedoni vetëm “peshqit e vegjël” do ta pësojnë, ndërsa ato të mëdhenjtë do të shpëtojnë?! Kush po vazhdon të mbajë mjegullën e 27 Prillit ende në qiell, kështu duke turbulluar shikimin e qartë rreth kësaj ngjarje? Pse edhe në këtë rast shohim të gjykuar vetëm përfaqësues të VMRO – DPMNE-se, thuajse BDI nuk ka qenë në pushtet? Apo BDI është vetëm për të marrë të mirat e pushteti, e jo të ndajë përgjegjësi që i takojnë? Derisa të arrijmë te përgjigjet e këryre pyetjeve, mbase edhe “inskenimi i 27 Prillit” do të tejkalohet me një amnesti të përgjithshme – dhe kështu nga të këqijat e shumta ngadal po rrëshqasim drejt humnerës – kështu shteti i Maqedonisë kurrësesi nuk po arrin të gjejë drejtësinë dhe paqen me vetëveten. Sepse kur drejtësia vazhdon të mos jetë e barabartë dhe selektive kjo do të thotë se: PA DREJTËSI ASNJËHERË NUK MUND TË KETË QETËSI! E kush nuk e ka kuptuar këtë, vështirë se do arrijë t’i qartësojë “mjegullat” e montimeve të shumta, që për fat të keq në këtë shtet asnjëherë nuk kanë ndalur, e posaçërisht ndaj shqiptarëve.