Inflacion dyshifror dhe rritje çmimesh në Maqedoninë e Veriut

Inflacioni në Maqedoninë e Veriut ka arritur në mbi 10%, shifër kjo më e larta që nga periudha e pavarësisë së vendit nga ish-Federata Jugosllave në vitin 1991. Sipas të dhënave të Entit të Statistikës, inflacioni në muajin prill ishte 10.5% më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Po sipas të dhënave zyrtare, çmimet e shitjeve me pakicë, krahasuar me të njëjtën periudhë janë më të larta për 11.1%.

Kjo ka çuar edhe në shtrenjtimin e shpenzimeve për jetesë për 2.2% për vetëm një muaj. Shporta e konsumit, sipas të dhënave të Lidhjes së Sindikatave, në muajin prill është rritur për 1.300 denarë apo afër 22 euro. Për të mbuluar shpenzimet elementare për jetesë një familjeje prej katër anëtarësh i nevojiten 38.104 denarë apo rreth 620 euro.

“Inflacioni te ne është nën ndikimin e trendëve botëror, por Qeveria do të bëjë gjithçka që të përballet me krizën ekonomike, ashtu siç ka vepruar deri më tani”, ka deklaruar zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha, pa dhënë detaje tjera mbi masat mundshme për zbutjen e pasojave nga kriza.

Komisioni Rregullator për Energjetikë ka nisur me vlerësimin e shpenzimeve të energjisë elektrike nga konsumatorët para se të dalë me vendimin për rritjen e çmimit që duhet të hyjë në fuqi nga qershori. Rritje të çmimit pritet të ketë edhe për ngrohjen qendrore, si dhe për burimet tjera të energjisë.

Për t’u përballur me krizën, më parë Ministria e Financave ka paralajmëruar marrjen e mbi 900 milionë eurove borxh, një pjesë përmes shitjes së Eurobondit dhe tjetrën nga Bankat e huaja. Lidhur me gjendjen e krijuar ka reaguar opozita maqedonase, e cila masat e Qeverisë i vlerëson si joefikase. OBRM-PDUKM-ja thotë se varfëria dhe inflacioni dyshifror, sipas saj vjen nga paaftësia e Qeverisë.

“Kemi inflacion dyshifror në njërën anë dhe në anën tjetër borxh të ri, sipas të cilit çdo fëmijë i porsalindur do të ketë 500 euro borxh shtesë. Borxhi publik ka arritur 62,63% të Prodhimit Bruto Vendor dhe kjo është shumë shqetësuese”, ka deklaruar Vllado Misajllovski, nënkryetar i OBRM-PDUKM-së.

Zoran Ivanovski, njohës i çështjeve të ekonomisë dhe profesor në Universitetin Fon në Shkup, thotë se inflacioni dhe përkeqësimi i gjendjes ekonomike është pasojë e krizës botërore. Ai thotë se e ardhmja është e vështirë të parashikohet, por kriza sipas tij, do të zgjasë derisa të mos ndërpritet lufta në Ukrainë që do të lërë pasoja afatgjata.

“Është shumë e vështirë të parashikohet lëvizja e çmimeve në të ardhmen, por fatkeqësisht ato edhe më tej mund të lëvizin në drejtim jo të duhur apo të ketë shtrenjtim të përgjithshëm. Kjo është pasojë e krizës botërore të shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Vetëm në rast të ndërprerjes së saj mund të pritet të nisë stabilizimi i gjendjes ekonomike, por pasojat do të ndihen edhe për një periudhë të konsiderueshme”, thotë Ivanovski.

Sa i përket inflacionit, Ivanovski thekson nevojën e një ndërhyrjeje të shpejtë si nga Banka Kombëtare, ashtu edhe nga Ministria e Financave, si dhe miratimi i masave qeveritare që do të stimulojnë rritjen ekonomike dhe stabilizimin e çmimeve. Ai thotë se autoritetet bankare që merren me çështjet monetare kanë përvojë në luftën me inflacionin dhe strategjinë monetare që është aplikuar në 15 vitet e fundit, por, sipas tij, kjo nuk është e mjaftueshme.

“Banka Qendrore bëri një rritje simbolike të kamatave, por në periudhën në vijim duhet të mendojë edhe për në një rritje tjetër, edhe pse kjo do të reflektohet tek ata që kanë marrë kredi”, shton Ivanovski.
Ai thekson nevojën edhe për masa tjera nga Qeveria, si reforma në sistemin tatimor, në politikat fiskale, pastaj masat për mbështetjen e investimeve reale, por edhe heqje dorë nga shpenzimet joproduktive.